Në KS të OKB-së, SHBA akuzoi Kremlinin për përdorimin e raketave nga Koreja e Veriut në Ukrainë
Disa qytete ukrainase përfshirë edhe Kievin kanë qenë shënjestër sërish e dronëve dhe raketave ruse. Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko tha se një raketë ruse e rrëzuar kishte dëmtuar linjat e energjisë elektrike dhe se disa familje në qytet ishin pa energji. Ushtria ruse hodhi 64 raketa drejt qyteteve ukrainase, ndërsa 44 prej të cilave u kapën nga mbrojtja ajore e Ukrainës. Tre persona u raportuan të vrarë në qytetin lindor të Mykolaiv ndërsa i gjithë vendi u vu nën alarm ajror.
11 persona mbetën të plagosur në kryeqytet, duke përfshirë një grua shtatzënë. Shpërthime u dëgjuan gjithashtu në Kharkiv, me disa dëme në infrastrukturë. Sipas forcave ajrore ukrainase, raketat ruse u zbuluan mbi rajonet perëndimore të Lviv, Ternopil dhe Ivano-Frankivsk. Gjatë dy muajve të fundit forcat ruse kanë shtuar intensitetin e sulmeve ajrore duke përdorur lloje të ndryshme armësh, duke përfshirë dronët iranianë dhe raketat.
Ndërkaq në Këshillin e Sigurimit në OKB, Shtetet e Bashkuara akuzuan Rusinë përdorimin e raketave të furnizuara nga Koreja e Veriut në Ukrainë, ndërsa Moska e cilësoi Uashingtonin si “bashkëpunëtor të drejtpërdrejtë” në rrëzimin e një avioni transporti ushtarak rus muajin e kaluar.
Ambasadori i Rusisë në OKB Vassily Nebenzia dhe zëvendësambasadori i SHBA në OKB Robert Wood shkëmbyen akuzat në takim të kërkuar nga Moska.
“Deri më sot, Rusia ka lëshuar raketa balistike të furnizuara nga Koreja e Veriut kundër Ukrainës në të paktën nëntë raste. Rusia dhe Pheniani duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Këto transferime të paligjshme armësh minojnë stabilitetin rajonal.”
Nga ana tjetër Ambasadori i Rusisë theksoi se ka prova të mjaftueshme se raketat “Patriot” u përdorën në sulmin për të rrëzuar avionin ushtarak me 74 persona në bord.
“Ne posedojmë prova të pakundërshtueshme se një raketë tokë-ajër PATRIOT është përdorur për të kryer sulmin, gjë që nuk lë asnjë dyshim se Uashingtoni është gjithashtu një bashkëpunëtor i drejtpërdrejtë në këtë krim.”
Hetuesit rusë thanë javën e kaluar se kishin prova që tregonin se ushtria ukrainase rrëzoi avionin transportues ushtarak me raketa tokë-ajër “Patriot” të prodhimit amerikan.
Klan News