Rusia godet Ukrainën me raketa ndërkontinentale

Rusia përdori këtë mëngjes, raketat e fuqishme ndërkontinentale për të goditur Ukrainën, në mënyrë demonstrative, pas lejes që u dhanë amerikanët për të goditur me artilerinë e tyre me rreze të gjatë veprimi territorin rus. Megjithatë, ministria e Jashtme ruse tha se Moska është gati për çdo nismë paqeje.

Ky filmim tregon momentet kur një seri raketash ndërkontinentale ruse bien mbi territorin ukrainas. Kievi tha se për të parën herë që prej nisjes së luftës ruse mbi 2 vite më parë, Rusia goditi territorin ukrainas me raketa të tilla mëngjesin e kësaj të Enjteje. Sistemi ukrainas i mbrojtjes ajrore shkatërroi në ajër 6 koka raketore, ndërsa njëra e modelit Kinzhal që ra mbi sipërfaqe nuk shkaktoi dëme. Raketat ranë pranë qytetit të Dnjeprit, ndërsa mendohet se janë hedhur nga baza raketore e Astrahanit, një qytet rus mbi 1 mijë kilometra larg në brigjet e lumit Vollga.

Raketat ndërkontinentale kanë fuqi të madhe shkatërruese. Moska i përdori ato për të treguar fuqi, teksa ukrainasit po godasin territorin rus me artileri me rreze të gjatë veprimi pas lejes së marrë nga administrata Biden. Ukrainasit përdorën të mërkurën edhe artilerinë britanike me rreze veprimi 500 km që arrin deri në Moskë.

Leja detyroi Putin të lejojë ushtrinë ruse të përdorë edhe armë bërthamore për kundërpërgjigje ndaj sulmeve ukrainase. Megjithatë, zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse Maria Zaharova tha se Moska ishte e hapur për të shqyrtuar çdo nismë realiste për arritjen e paqes në Ukrainë me vende që duan vërtet ta bëjnë këtë.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share