Rusia godet një bllok apartamentesh në Zaporizhzhia

Olaf Scholz: Pekini të përdorë ndikimin e tij që Moska të tërheqë trupat nga Ukraina

Një raketë ruse u përplas në një ndërtesë apartamentesh pesë-katëshe në qytetin e Zaporizhzhia në Ukrainën juglindore, duke vrarë të paktën katër persona si dhe duke plagosur tetë të tjerë.

“Njerëzit po bërtisnin nga nën rrënoja. Ishte e vështirë për t’u dëgjuar. Ne ishim të tronditur,” tha për Reuters Juliia Kharytenko, një grua 36-vjeçare që jetonte në bllokun e apartamenteve.

Presidenti Volodymyr Zelenskiy dënoi sulmin në një postim në Facebook, duke thënë se Ukraina do të dëbonte forcat ruse që pushtuan Ukrainën në shkurt të vitit të kaluar.

“Shteti terrorist dëshiron që çdo ditë për popullin tonë të kthehet në një ditë terrori. Por e keqja nuk do të mbretërojë në tokën tonë. Ne do t’i dëbojmë të gjithë pushtuesit dhe ata patjetër do të mbajnë përgjegjësi për gjithçka”, ka shkruar ai.

Ndërkaq forcat ukrainase luftuan sërish në qytetin lindor Bakhmut që tanimë është objektivi kryesor i Rusisë. Mediat ruse kanë përcjellë raporte që pretendojnë se forcat ukrainase kanë hyrë në territorin rus në rajonin Bryansk, i cili kufizohet me Ukrainën në veri.  Rusia ka akuzuar diversantët ukrainas për infiltrim në Bryansk edhe më parë. Putin ka deklaruar se shërbimi i sigurisë do të forcojë  mbrojtjen kundër spiunazhit dhe atyre që ai i quajti kërcënimet terroriste që burojnë nga Ukraina dhe Perëndimi.

Kancelari gjerman Olaf Scholz i kërkoi Kinës të mos dërgojë armë për të ndihmuar luftën e Rusisë në Ukrainë dhe në vend të kësaj i kërkoi Pekinit të ushtrojë presion ndaj Moskës për të tërhequr forcat e saj.

“Tërhiqni trupat tuaja dhe kjo luftë do të përfundojë menjëherë.  Është e rëndësishme që Putini ta dëgjojë këtë mesazh nga vendet në mbarë botën. Është mirë që Kina së fundmi përsëriti mesazhin e saj se kundërshton përdorimin e armëve bërthamore në planin e saj prej 12 pikash dhe se dënon qartë armët biologjike dhe armët e shkatërrimit në masë.  Ajo që është zhgënjyese është se Kina në takimin e fundit të ministrave të financave të G20 tha se nuk ishte më e gatshme të përsëriste atë që ishte një dënim i qartë i sulmit të Rusisë”, tha Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.

Ndërkaq sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken , akuzoi Moskën për shtypjen e kritikëve vendas dhe u bëri thirrje hetuesve të mandatuar nga OKB që të vazhdojnë të dokumentojnë abuzimet e supozuara të Rusisë në luftën në Ukrainë, në një fjalim në Këshillin e të Drejtave të Njeriut.

GAZETARE: LIVIA KALLFA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share