Rusia ka ashpërsuar tonet me Armeninë, duke thirrur ambasadorin për t’i dhënë një notë proteste në lidhje me një sërë veprimesh që i përshkroi si “jomiqësore”.
Zhvillimet nënvizojnë tensionin në rritje midis Moskës dhe ish-republikës më të vogël sovjetike, të cilën Rusia e sheh si pjesë të sferës së saj të ndikimit.
Përmes një deklarate, ministria e Jashtme ruse i renditi Jerevanit në formë proteste vendimet për t’u regjistruar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe për të pritur një stërvitje ushtarake me SHBA-në, si dhe një vizitë në Ukrainë nga gruaja e kryeministrit armen për të ofruar ndihma humanitare.
Ministria e Jashtme ruse akuzoi gjithashtu Armeninë për një “përfaqësim të ashpër” që i ishte bërë ambasadorit, Vagharshak Harutyunyan, duke u ankuar për “deklarata fyese” nga kryetari i Asamblesë Kombëtare Armene, Alen Simonyan, për zëdhënësen e ministrisë Maria Zakharova.
Armenia, ku ndodhet një bazë ushtarake ruse dhe e cila varet shumë nga Rusia për burimet e saj të mbrojtjes, ka qenë e zëshme në ankesat e saj të fundit duke argumentuar se paqeruajtësit rusë nuk e kanë zgjidhur në mënyrë efektive bllokadën e Azerbajxhanit. Ajo ka parandaluar arritjen e furnizimeve thelbësore në Nagorno-Karabakh, një rajon etnik armen brenda Azerbajxhanit.