Rusia dhe Ukraina përshkallëzojnë sulmet

Një qendër transfuzioni gjaku, një universitet dhe një strukturë aeronautike në Ukrainë u dëmtuan

Një qendër transfuzioni gjaku, një universitet dhe një qendër aeronautike në Ukrainë janë dëmtuar në sulmet ajrore vdekjeprurëse pasi forcat ruse dhe ukrainase përshkallëzuan sulmet e tyre. Zyrtarët ukrainas fajësuan Rusinë për sulmin në qendrën e gjakut në qytetin lindor të Kupiansk. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy e përshkroi sulmin në Kupiansk në rajonin e Kharkiv si një “krim lufte”.

“Forcat ruse përdorën një “bombë ajrore” në kete sulm. Ky krim lufte thotë gjithçka për agresionin rus,” u shpreh presidenti ukrainas.

Disa orë pas sulmit në qendrën e transfuzionit, guvernatori i caktuar nga Moska në Donetsk në Ukrainën lindore, tha se ndërtesa e universitetit mori flakë për shkak të bombardimeve ukrainase. Autoritetet ruse akuzuan Kievin se sulmi në Donetsk erdhi si pasojë e bombave thërrmuese.

Ndërkaq, bombardimet goditën gjithashtu një objekt aeronautik ukrainas. Ai i përkiste Motor Sich, një prodhues i motorëve të avionëve dhe helikopterëve në Ukrainën perëndimore, rreth 300 km në jugperëndim të Kievit. Sulmet e njëpashnjëshme erdhën pasi një dron ukrainas i mbushur me eksplozivë goditi një cisternë ruse karburanti pranë një ure që lidh Rusinë me Krimenë e aneksuar.

Askush nuk u lëndua, por trafiku në urën e Krimesë dhe shërbimi i trageteve u pezulluan, sipas zyrtarëve të emëruar nga Rusia në gadishullin që Moska e aneksoi në vitin 2014. Kievi synon shkatërrimin e infrastrukturës ushtarake brenda ose jashtë territorit të kontrolluar nga Rusia në Ukrainë si pjesë thelbësore të kundërsulmit të tij.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share