Rryma vret 14 vjeçaren në Ilinden

Mosdijen po e paguajmë me jetë

Vetëm 14 vjet, ende pa filluar të jetojë, humbi jetën në këto hekurudha.

Ka dalë të luaj me dy shokët e saj në vend të gabuar. Janë ngjitur mbi vagonë për të xhiruar video për rrjete sociale, duke mos e ditur se kabllot elektrike mbi hekurudhë kanë tension të lartë dhe nuk guxon të afrohet më shumë se 1.5 metra.

Aty edhe e ka gjetur vdekjen. Këtë e kanë konstatuar edhe nga Ministria e punëve të brendshme.

“Më datën 25.02.2023 në ora 21:05 minuta në SPB Shkup është denoncuar se në lagjen Ilinden në stacionin e trenit-magazinë gjendet një e mitur e vdekur. Pas këqyrjes të kryer nga ana e nëpunësve policorë dhe Prokurorit Publik është vërtetuar se e mitura ka qenë me dy të mitur të tjerë, ka hipur në kulmin e cisternës e cila ka qenë në rrugën hekurudhore, gjatë së cilës ka pasur goditje të rrymës elektrike”, thonë nga MPB.

Spase është tanimë në pension, por ka punuar për 35 vite pikërisht në këtë stacion hekurudhor.

Vajza 14 vjeçare nuk është viktima e parë që ai e ka parë. Mosdijen po e paguajmë me jetë thotë ai.

“Lartë ka rrymë pa ndërprerë. Nuk ka lidhje se a ka tren apo jo. Nuk është e frikshëm për të hyrë në tren, ta kalojë trenin tek ajo platforma, por nëse ngjitet në lartësi afër kabllove të rrymës, sapo afrohet 1.5 metra në atë zonën e rrezikshmërisë, vdes, këtu nuk ka shpëtim… Kishte edhe një viktimë tjetër, para syve të mi vdiq njeriu. Nuk mundesha ti ndihmojë. Bërrtisja prej anash: Mos u ngjit lartë se do të vdesësh, ka rrymë prej 25 000 voltëve lartë… E la në vend”, thotë Spase, ish i punësuar te Hekurudhat.

Spase ka një porosi deri tek rinia që po rrezikojnë jetën për të xhiruar video për rrjete sociale.

“Një apel deri tek të rinjtë… Mos të ngjiten në vagonët dhe mos të bëjnë ekzibicione të panevojshme”, thotë Spase

Nga Prokuroria informojnë se është biseduar me dy fëmijët tjerë që ishin bashkë me viktimën. Është urdhëruar që të kryhet obduksioni dhe po hetohen të gjithë rrethanat që kanë shkaktuar këtë tragjedi./KlanMacedonia

Përgatiti: Furkan Saliu

Lexo gjithashtu
Total
0
Share