Numri i kalimeve të jashtëligjshme kufitare në Bashkimin Evropian (BE) është rritur në nivel rekord në shtatë muajt e parë të këtij viti, me 176.000 tentimeve për t’u futur në bllok, ka thënë agjencia për menaxhimin e kufirit e BE-së, Frontex, të premten.
Kjo është shifra më e lartë për këtë periudhë kohore që nga viti 2016, dhe përbën një rritje prej 13 për qind. Vetëm në muajin korrik, 42.700 njerëz e kaluan kufirin jashtëligjshëm, një rritje prej 19 për qind krahasuar me muajin korrik 2022, tha Frontex.
Megjithatë, Frontex raportoi se ka një rënie të tentimeve përmes Ballkanit Perëndimor, që është rruga e dytë më e përdorur nga emigrantët. Më shumë se 52.200 emigrantë tentuan të futen në BE përmes kësaj rruge, që është një rënie prej 26 për qind, kryesisht për shkak të politikave më të ashpra për vizat.
Sipas të dhënave, më shumë së gjysma e atyre tentimeve për të hyrë, apo 89.047, u bënë përmes Mesdheut qendror, për shembull nga Libia dhe Tunizia përmes Sicilisë dhe Maltës.
Këtu, numri është dyfishuar në shtatë muajt e parë të këtij viti. Mbërritja e mijëra emigrantëve në bregdetet italiane ka krijuar tensione politike dhe i ka bërë liderët e BE-së të kërkojnë arritjen e një marrëveshjeje me Tunizinë, për t’i parandaluar njerëzit nga nisja e udhëtimeve të tyre drejt Evropës nga atje.
Emigrantët pritet të vazhdojnë ta përdorin këtë rrugë edhe në muajt e ardhshëm, sipas Frontex, pasi trafikantët ofrojnë çmime më të ulëta për kalimin e emigrantëve përmes Mesdheut, për shkak të konkurrencës së fortë mes grupeve kriminale.
Megjithatë, Frontex ka nënvizuar se Deti Mesdhe mbetet i rrezikshëm, pasi në shtatë muajt e parë të këtij viti u zhdukën 2.060 emigrantë.
Të gjitha rrugët e tjera raportuan për një rënie në tentimet për hyrje të paautorizuar, tha agjencia./REL