Rritet dëshpërimi mes të mbijetuarve në Izrael

Ngjyrat e flamurit izraelit ndriçuan disa prej institucioneve dhe monumenteve kryesore në Europë

Një çift izraelit që i mbijetoi sulmit të përgjakshëm që u nis në Kibbutz pranë Gazës nga militantët e Hamasit, u fshehën me foshnjen e tyre në një strehë për 21 orë derisa u shpëtuan nga trupat izraelite. Ata shprehen se militantët në pak orë bombardonin pa ndalesë çdo gjë duke shkaktuar kaos.

“Ushtria hyri në shtëpinë tonë thyen derën. Vrapuam dhe arritëm që të futeshim në një nga dhomat së bashku me foshnjen tonë. Ata më pas u larguan. Hapëm derën dhe u përqafuam. Duke u dridhur nga frika trupat izraelite na larguan dhe na dërguan në një shtëpi të braktisur në një tjetër lagje. Ishte shumë e tmerrshme”.

Trupat e banorëve izraelitë dhe militantëve të Hamasit shtriheshin në tokat e Kibucit Kfar Aza mes shtëpive dhe makinave të djegura si dhe mobiljeve të shkatërruara, ndërsa ushtarët izraelitë shkonin shtëpi më shtëpi për të marrë të vdekurit. Ndërkaq dëshpërimi rritet edhe mes të mbijetuarve të cilët kërkojnë të dashurit e tyre të cilët janë marrë peng. 21-vjeçarja Gaya Kalderon, nga Tel Avivi e pikëlluar kërkon familjarët e saj të cilët u zhdukën pasi militantët e Hamasit sulmuan Izraelin.

“Çfarë mund të bëj? Jam e mërzitur dhe vetëm duke menduar për familjen time. Dua të di vërtet nëse ata janë gjallë. Kur shikoj bisedat në grupin e familjar që kemi në WhatsApp teksa mami më shkruan “Të dua” futem në dëshpërim të thellë”.

Gaya shprehet se pasi militantët rrëmbyen familjarët, asaj i dërguan edhe një video kur vëllai i saj i vogël torturohej.

“Në video shoh Erezin, vëllain tim më të vogël që ishte me motrën time dhe babain tim dhe shoh që po e shkelmojnë dhe ai bërtet. Madje as nuk jam ndier kurrë më parë kështu, as nuk kam më lot në sy, nuk mund të qaj sepse kam qarë kaq shumë. Dua thjesht që ata të kthehen. Aktualisht nuk kemi më shtëpi, është djegur e gjitha. Unë nuk dua shtëpinë time dua që të gjithë ata që po torturohen nga militantët të kthehen”.

Situata mbetet e rëndë edhe në Gaza. Shkatërrimi në masë nga të gjitha anët si hakmarrje për sulmet e ka zhytur Gazën në një tjetër krizë humanitare. Më shumë se 22,600 njësi banimi, 10 objekte shëndetësore dhe 48 shkolla janë shkatërruar. Termocentrali i Gazës që është aktualisht burimi i vetëm i energjisë elektrike atje do të pushojë së funksionuari për 10 orët e ardhshme. Izraeli ndërpreu furnizimin me energji elektrike në Gaza pasi shpalli një “rrethim të plotë”.

Gjithashtu do të ndërpriteshin gjithashtu furnizimet me ushqim, karburant dhe ujë.  Rreth 80% e njerëzve në Gaza mbështeten në ndihma humanitare edhe para fillimit të luftës së fundit, ndërsa OKB ka ngritur alarmin se gati gjysmë milioni njerëz nuk kanë mundur të marrin racionet e tyre ushqimore që nga e shtuna kur nisën sulmet. Ndërkaq në disa vende europiane dhe jo vetëm ngjyrat e flamurit izraelit ndriçuan disa prej institucioneve dhe monumenteve kryesore në mbështetje të Izraelit.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share