Rritet bilanci i të vdekurve nga përmbytjet në Turqi

Situata është më e rëndë në dy province, Adıyaman dhe Sanliurfa, që u prekën nga tërmeti i 6 Shkurtit

Është rritur në 14 numri i personave që kanë humbur jetën nga përmbytjetet e fuqishme në pjesën juglindore të Turqisë, e cila një muaj më parë u godit nga tërmet shkatërruese. Situata më e rëndë paraqitet në provincën juglindore Adıyaman ku ujërat e rrëmbyeshëm përmbytën kontenjerët ku jetonin një grup të mbijetuarish nga tërmeti. Disa të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Ekipet e shpëtimit gjetën trupat e pesë shtetasve sirianë brenda një apartamenti të përmbytur në provincën fqinje Sanliurfa (Shanlleurfa).

Disa njerëz u evakuuan nga disa çadra ku strehoheshin pas goditjes nga tërmeti të cilët u dërguan më pas në një spital. Rrjedhjet e fuqishme të ujit morën gjithashtu përpara disa makina dhe çdo gjë tjetë përreth.

Agjencia turke e Menaxhimit të Fatkeqësive bëri të ditur se në dispozicion u vendosën zhytës profesionistë të cilët u përfshinë në përpjekjet e shpëtimit në secilën prej dy provincave. Shiu i dendur përmbyti gjithashtu njësinë e kujdesit intensiv në Spitalin e Trajnimit dhe Kërkimit Şanlıurfa ndërsa pacientët u transferuan në një spital tjetër.

Shkollat kanë pezulluar mësimin deri në përmirësimin e situatës. Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave ka deklaruar se policia, xhandarmëria dhe ekipet e bashkisë vazhdojnë të evakuojnë zonat me rrezik përmbytjeje. Provincat Adıyaman, Diyarbakır, Malatya, Kahramanmaraş dhe disa të tjera janë vendosur nën alarmin portokalli për shkak të përmbytjeve.

Provincat, ku jetojnë rreth 2.7 milionë njerëz, u goditën nga tërmetet e muajit të kaluar, të cilët vranë më shumë se 48,000 njerëz në Turqi dhe lanë miliona të pastrehë. Sipas parashikimeve reshjet e shiut pritet të jenë me intensitet të lartë të paktën deri në fundjavë duke e rënduar edhe më shumë situatën në zonë.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share