Rriten çmimet e biletave të transportit ndërurban

SHKUP-TETOVË 200 DENARË, SHKUP-KUMANOVË 170 DENARË

Për të udhëtuar nga Shkupi në Tetovë, ose anasjelltas, nga sot bileta e autobusit për këtë destinacion do t’u kushtojë 200 denarë. Paraprakisht ishte 160 denarë. Gjitashtu për 20 denarë është rritur edhe bileta e udhëtimit Shkup – Kumanovë dhe anasjelltas. Tani kushton 170 denarë, raporton KlanMacedonia.

Qytetarët të cilët sot kishin zgjedhur transportin publik për të udhëtuar ankohen se çmimi është rritur për çdo gjë, por pagat kanë mbetur të njëjta.

“Vertet nuk është mirë, të ardhura të ulëta ndërsa standarde të larta, me të vërtetë duhet që sindikatat të punojnë më shumë për të drejtat e punëtorëve”.

Por kishte edhe nga ata qytetarë që thënë se është normale që të rritet çmimi i biletave për transportin publik pasi është rritur edhe çmimi i naftës.

“Nafta është rritur, 1euro e 80 cent është bërë litër naftë, më herët ka qenë 80 cent, edhe ato që kanë kompani mbajnë familje, autobusi harxhon më shumë se një veturë, sido që të jetë, kjo është realiteti.”

Ndërsa drejtori i kompanisë Rule Tours tha se nuk dihet nëse do të vazhdojë rritja e çmimit të biletave pasi sipas tij gjithçka varet nga rritja e çmimit të naftës.

“Siç e dini, rritja e fundit e biletave të autobusit ka ndodhur para rreth tre muajsh, kur çmimi i naftes ishte rreth 75 denarë, ndërsa me rritjen e çmimit të naftës disa transportues vendosën të rrisin edhe çmimet e biletave për rreth 15%. Sa i përket pyetjes nëse çmimet do të rriten më tej, gjithçka varet nga rritja e çmimit të naftës.” – deklaroi Masar Omeragiq, drejtor i Rule Tours.

Ndryshe, para pandemisë, çmimi i biletës për destinacionin Shkup-Tetovë ose anasjelltas ishte 120 denarë, që nga ajo kohë çmimi është rritur për 80 denarë ose 60 %. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share