Rrëzohet aeroplani civil rus në Afganistan

Në veri të Afganistanit, mbrëmë është rrëzuar një aeroplan civil rus “Falcon 10”, dhe sipas informacioneve fillestare, në aeroplan kanë qenë katër anëtarë të ekuipazhit dhe dy pasagjerë, raportojnë mediat ruse, përcjell KlanM.

Mediat britanike raportojnë se policia afgane ka marrë informacion për rrëzimin e një avioni në provincën Badakhshan, në një zonë malore të paarritshme. Nuk ka konfirmuar ende llojin e avionit, shkakun e rrëzimit apo viktimat, por kontrolli ajror rus tha se ishte një aeroplan Dassault Falcon 10 që fluturonte nga India në Moskë.

Aeroplani ndaloi komunikimin mbrëmë ndërsa ishte në hapësirën ajrore afgane, afër kufirit me Taxhikistanin, dhe u zhduk nga ekranet e radarëve, njoftoi sot Agjencia Federale Ruse e Transportit Ajror në kanalin e saj Telegram.

“Sipas të dhënave të para, në aeroplan kanë qenë gjashtë persona – katër anëtarë të ekuipazhit dhe dy pasagjerë”, thuhet në njoftim.

Kërkimi për avionin është në vazhdim, dhe Aviacioni rus është në kontakt me autoritetet e aviacionit të Afganistanit dhe Taxhikistanit./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share