Policia gjermane ka gati një plan pesë-pikësh që synon të ofrojë sigurinë, që agjentët të mund të përballen me çfarëdolloj rreziku gjatë zhvillimit të kampionatit europian në muajin e ardhshëm.
Eventi më i rëndësishëm për kombëtare në kontinent nis më 14 qershor.
Në stadium priten 2.7 milionë tifozë, ndërsa në fan-zona në 10 qytetet pritëse rreth 12 milionë të tjerë.
Sipas drejtuesve të policisë gjermane, rreziku mund të vijë nga grupet terroriste, huliganët e dhunshëm, kriminelët që mund të udhëtojnë drejt Gjermanisë apo hajdutët.
22 mijë punonjës të policisë federale do të përqendrohen në kufij, stadiume, sheshe, aeroporte, stacione treni dhe zona të tjera të frekuentuara.
Gjithashtu gjatë zhvillimit të turneut, agjentët e policisë nuk do të kenë mundësinë që të bëjnë pushime.
Forcat e rendit janë veçanërisht të shqetësuara për rrezikun e huliganëve gjatë Kampionatit Evropian.
Sipas gazetës gjermane, ultrasit gjermanë po përgatiten për trazira, pasi eventin që do të organizohet në shtëpi, e shikojnë si një mundësi për të treguar forcën e tyre, kundrejt grupimeve të tjera të tifozerive.
Klan News