Robert De Niro qortoi Chris Wallace për pyetjen nëse Donald Trump “nuk do të hiqte dorë nga pushteti” nëse fiton përsëri.
Aktori 81-vjeçar, i cili është një kritik i zëshëm i ish-presidentit 78-vjeçar, tha: “Ti e di që ai nuk do ta bëjë! Ai e ka deklaruar vetë! Ai kurrë nuk do të heqë dorë. Dhe kushdo që e mashtron veten duke menduar që ai do ta bëjë, turp për ju!”.
Wallace, 76 vjeç, më pas e pyeti nëse ata do të takoheshin ndonjëherë pasi të dy kishin jetuar në New York në vitet ’70 dhe ’80.
De Niro u përgjigj se ai kurrë nuk kishte dëshiruar të kishte të bëjë me Trump, duke e quajtur atë “një idiot”, dhe shtoi se vendi ka nevojë për dikë si Kamala Harris, që ka qëllime të mira.
De Niro gjithashtu foli për arsyen pse ai beson që Trump është një “gangster”.
“Në çdo mjedis, ekziston nderi. Nëse nuk mban fjalën tënde dhe nuk bën gjënë e duhur me njerëzit, pavarësisht se në cilën profesion je, do të margjinalizohesh. Dhe në atë botë, është pak më e vështirë”, tha De Niro.
Kjo nuk është hera e parë që De Niro ka qenë kritik ndaj politikanit që po kandidon përsëri për president. Në maj, ai krahasoi Trump me Hitlerin dhe Musolinin, duke shprehur habinë se pse njerëzit nuk e marrin seriozisht.
De Niro përfundoi duke thënë se njerëzit që mbështesin Trump do ta kuptojnë më në fund se çfarë njeri i lig dhe keqdashës është.
“Ai është i pamëshirshëm”, tha ai. /Telegrafi/