RMV: Do të nevojitet leje e posaçme për zonat e mbrojtura në Malin Sharr

Qytetarët mund të lëvizin në parkun kombëtar të Malit Sharr. Por, kjo do të jetë me leje të posaçme në zonat e kontrolluara rreptësishtë të këtij parku. Kështu thotë ministri i Planifikimit Hapësinor dhe Ambientit Jetësor, Naser Nuredini, i cili i ka quajtur dezinformata informacionet se me shpalljen e një pjese të Malit Sharr për Park Kombëtar dhe me përcaktimin e kufijve, qytetarët nuk do të mund të lëvizin në parkun kombëtar, qoftë edhe për shëtitje apo për piknik. Sipas tij, Parku Kombëtar është krijuar pikërisht për qytetarët dhe për zhvillim ekonomik. Më tej, ai tha se nuk krijojmë muze, por do të krijohen zona të mbrojtura.

“Plani për menaxhim me Malin Sharr është në përfundim e sipër, do të miratohet së shpejti. Brenda këtij plani do të tregohet se cilët aktivitete janë të lejuara dhe të ndaluara. Janë dezinformata, qytetarët mund të lëvizin në Malin Sharr, pra nuk krijojmë muze, por do të krijojmë zona të mbrojtura të cilët do të përdoren për ekonomi të qëndrueshme. Ka zona strikte të mbrojtura dhe duhet të informohet Parku Kombëtar se kur do të shkohet atje. Ka biodiversitet shumë të rëndësishëm, por edhe ne duhet të kemi informata se kush lëvizë në ato zona. Kjo është në të mirën e qytetarëve dhe atyre që do të duan të lëvizin në Parkun Kombëtar. Sa i përket zonimit, zonimet janë shumë të qarta, ka aplikacion në ‘google maps’ që tregon saktë se në cilën zonë ndodheni”, deklaroi ministri Nuredini, ndërsa tha se ndërmarrja që menaxhon me këtë Park Kombëtar , tashmë ka filluar me punësimet e nevojshme, kurse pritet të ketë edhe aktivitete tjera.

Të gjitha këto janë të lidhura ngushtë edhe me planin për menaxhim me Parkun Kombëtar në Malin Sharr.

“Punësimet kanë filluar dhe tash pritet të bëhen edhe aktivitete tjera. Me rëndësi është se janë bërë hapat e parë dhe natyrisht që brenda natës nuk mund të bëhet një Park Kombëtar, por do të duhet kohë. Megjithatë, kryesorja është se i njëjti është për të mirën e banorëve”, nënvizoi ministri Nuredini.

Megjithatë, opinioni ende ka shumë paqartësi për sa i përket lëvizjes së gjuetarëve, të cilët gravitojnë në këtë rajon, e të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre se si do t’i zhvillojnë aktivitetet e tyre në të ardhmen në Parkun Kombëtar. Pritet që në të ardhmen të ketë më shumë informacione qoftë për qytetarët, qoftë për gjuetarët, lidhur me shqetësimet që shfaqen kohë pas kohe në opinion për mënyrën e zonimit të Parkut Kombëtar.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share