Gjykata Administrative hodhi posht Padinë e “Frontit Evropian” kundër vendimit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) për rivotimin në vendvotimin 2101 në fshatin Llërcë të komunës së Zhelinës.
“Padia e koalicionit ‘Fronti Evropian’, i udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim, fushata zgjedhore – Zgjedhjet parlamentare 2024, në njësinë zgjedhore 1, 2, 3, 4, 5 dhe 6, parashtruar kundër vendimit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor të Republikës së Maqedonisë së Veriut UP1.Nr.10-33 të 27.05.2024, refuzohet si e pabazë”, thonë nga Gjykata Administrative.
Me këtë aktgjykim, thuhet në njoftim, vërtetohet vendimi i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të datës 27.05.2024.
Ndërkohë, Koalicioni “Fronti Evropian” ka paraqitur kundërshtim në KSHZ për rivotimin në vendvotimin 2101 në fshatin Llërcë. KSHZ-ja nuk e pranoi kundërshtimin dhe më pas “Fronti Evropian” paraqiti padi në Gjykatën Administrative.
Kundërshtimi i dorëzuar në KSHZ, kishte të bëjë me shkeljet e procedurës së votimit, si dhe procedurën për konstatimin dhe përmbledhjen e rezultateve.
Rivotimi në qendrën e votimit 2101 në Llërcë të Zhelinës ka ulur diferencën në mandate të fituara nga dy koalicionet që përfaqësojnë shqiptarët në shtet. Koalicioni “VLEN” tani do të ketë 14 deputetë në Kuvend, gjegjësisht një më shumë se 13 mandatet e fituara në zgjedhjet e 8 majit dhe koalicioni “Fronti Evropian” i udhëhequr nga BDI ra nga 19 në 18 mandate./tvklan.mk