“Përkundër presioneve, jam dhe do të mbetem shqiptar ortodoks”
Jemi deklaruar si shqiptarë ortodoks dhe jemi pasardhës, brezi i tretë i familjes së njohur Qiriazi nga Manastiri, por jemi të harruar nga të gjithë dhe të lënë në mëshirën e fatit – thotë Risto Qiriazi duke rrëfyer golgotën që kishte përjetuar gjatë viteve.
“Pasi u promovua në Shkup libri për shqiptarët ortodoks, atje u fotografuam me të gjithë, por kur u kthyem djali im u përball me rreth 60 kërcënime me vdekje, pasi tham kush dhe cfarë jemi”, thotë Risto Qiriazi, pasardhës i familjes së njohur atdhetare.
Përkundër presioneve dhe kërcënimeve që vijnë, sic thotë Risto nga qarqe antishqiptare, ai dhe biri i tij Oliveri, nuk heqin dorë nga identiteti shqiptar, madje ndjehen edhe krenarë.
“Krenohem që jam pjesë e familjes Kirijas, gjyshërit e mi kanë punuar me vizion për prosperitetin dhe përparimin e popullit shqiptar. E dyta, nuk ndjehem I vetmuar, e kam djalin tim dhe pjesa tjetër e familjes le të bëjnë c`të duan, frikohen ta tregojnë identitetin dhe se janë me origjinë nga Qiriazët. Tani më erdhi një mbesë me origjinë nga Sevastil Daku. Erdhi nga Torino që t`i vizitojë varrezat e gjyshërve të tyre në Manastir dhe ishte shumë e kënaqur edhe ajo identifikohet si shqiptare ortodokse”, deklaron Qiriazi për Klan Maqedoni.
I izoluar nga të gjithë, nën presion të vazhdueshëm për shkak të përcaktimit të tij si shqiptar ortodoks, duket se Risto Qiriazi nuk ka rrugëdalje tjetër vecse t`u drejtohet njerëzve zemërmirë, pse jo edhe institucioneve që drejtohen nga shqiptarët.
“Kam një apel. Kërkoj një ndihmë financiare pasi jetoj me një pension të vogël. Gjithashtu mundësisht të punësohet djali im në ndonjë institucion, pasi është jetim që nga mosha njëvjecare”, u shpreh Risto Qiriazi.
Shqiptari ortodoks Risto Qiriazi thotë se tashmë 35 vite është vejan, bashkëshortja i kishte ndërruar jetë në moshën 26 vjecare, kurse për të birin Oliverin kujdeset që nga mosha e tij një vjec e gjysmë. Ai ka fjalë miradije për Universitetin e Tetovës, për organizatorët e “Flakës së Janarit” ku thotë se ftohet në cdo ngjarje historike për shqiptarët, flet me respekt për të ndjerin Branislav Sinadinovskin për të cilin thotë se ka përjetuar tortura nga më të ndryshmet për shkak të aktiviteteve promovuese të shqiptarëve ortodoks. Jam shqiptar ortodoks nga Manastiri dhe i tillë do të mbetem deri në vdekje – shprehet i prerë Risto Qiriazi, pikërisht në ditët kur shqiptarët kremtojnë Festën e Alfabetit./KlanMacedonia