Rikthehet derbi i ”zjarrtë”, të dielën Shkëndija – Vardari!

MOBILIZOHEN “BALLISTËT”

“Dita afrohet, euforia ka filluar! Rivali i përbetuar do të gjunjëzohet në Tetovën heroike”. Tifo grupi “Ballistët” po mobilizohet për ndeshjen e radhës në Tetovë, përballë Vardarit të Shkupit, një derbi që për dy vite i ka munguar kampionatit.

Paralajmërohet spektakël si në qytet poashtu edhe në tribunën “Marshin Beqiri” në stadiumin e Tetovës. Aktivitetet nisin të dielën në 12.30 në Sheshin “Iliria” në Tetovë.

Shkëndija në këtë ndeshje do të jetë pa Reshat Ramadanin që u ndëshkua me karton të kuq, por në ekip kthehen kapiteni Enur Totre  dhe Bruno Dita.

Për futbollistët e Shkëndijës, nuk ka motivim më të madh se sa ndeshjet kundër Vardarit.

“Sa i përket ndeshjes kundër Vardarit, besoj që për ne është motivim shumë i madh për e gjithë ekipin e Shkëndijës. Dihet rëndësia e kësaj ndeshje edhe ne do punojmë maksimalisht që të dalim faqebardhë nga kjo ndeshje dhe të dalim me  tri  pike” – tha Erald Çinari, futbollist i KF Shkëndija.

Në rrjetin social “Facebook” tifo-grupi “Ballistët” me mesazhe inkurajuese paralajmëron ndeshjen, e cila pas presioneve do të zhvillohet të dielën, e jo të shtunën, sic ishte caktuar paraprakisht nga drejtuesit e Federatës. Pritet numër rekord i shikuesve, pasi ndeshjet kundër Vardarit paraqesin “magnet” për tifozët.

Thirrje tifozëve kanë dërguar edhe nga KF Shkëndija. Në faqen e tyre në Facebook qëndron mbishkrimi “Të dielën të gjithë në stadium për Shkëndijën”.

Përmes rrjeteve sociale janë prononcuar edhe nga KF Vardari. Thonë se “Lufta vazhdon të dielën”!

“Nuk shkojmë për surprizë, e as që mendojmë për kundërshtarin. Imperativi ynë është fitorja dhe vetëm fitorja, kundër çdokujt dhe kudo. Për shkak se ne jemi Vardari” – thonë shkupjanët.  /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share