Kuvendi të hënën do të vazhdojë debatin e seancës së 104-të për Propozimin për zgjedhjen e anëtarëve të Qeverisë. Deputetët vazhduan punën edhe pas orës 18:00, ndërsa pas disa prezantimeve dhe vërejtjeve, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi e ndërpreu seancën. Për shkak të festave të ardhshme fetare, ai bëri të ditur se Kuvendi do të rifillojë punën e kësaj seance të hënën, përcjell Klan Maqedoni.
Deputeti Borislav Kërmov nga Levica gjatë debatit iu referua ekspozesë së kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe ndër të tjera vlerësoi se nuk e kupton arsyetimin për rotacionin e Alternativës me Aleancën për Shqiptarët në koalicionin qeveritar. Sipas tij, arsyetimi i pretenduar se synimi është një koalicion evropian, nuk qëndron. Në përmbledhje, bëhet fjalë për një blerje klasike “qeveri dita-ditës”, dhe siç tha ai, peng i plotë i LSDM-së nga BDI-ja.
Sipas tij, “LSDM tashmë de facto është partner i pakicës, numri i deputetëve nuk është relevant dhe shumica e ministrive nuk janë në duart e tyre”. “Mbi 90 për qind të institucioneve kyçe i mban BDI-ja, për LSDM-në janë vetëm thërrimet, padyshim motivimi i vetëm është vazhdimi i bizneseve”, thotë Kërmov.
BDI, nga ana tjetër, sipas tij, tani ka dy probleme. I pari është të pengojë bashkimin e opozitës shqiptare dhe i dyti është fraksioni i brendshëm. Hyrja e ASH-së në Qeveri, sipas tij, do të jetë për një vit dhe më pas kjo parti do të delegjitimohet, përcjell KlanM.
“Për fraksionin e brendshëm, i cili ka tre deputetë, me hyrjen e Aleancës, fuqia e ‘grupi të zjarrit’ është zvogëluar dhe pothuajse nuk kanë pushtet dhe tani BDI mund t’i përkushtohet spastrimit të brendshëm”, tha Kërmov.
Arta Bilalli Zendeli nga BDI iu përgjigj qëndrimeve të shprehura për problemet në parti.
“BDI mund të ketë jo dy, njëmijë probleme, por sa të merresh me BDI-në, rejtingu i partisë vetëm do të rritet. Dhe në fund do të vijnë zgjedhjet ku të gjithë do të marrim atë që meritojmë”, tha Bilalli Zendeli.
Me ristrukturimin e qeverisë, Krenar Loga është propozuar për Ministër të Drejtësisë, Fatmir Mexhiti si Ministër i Shëndetësisë, Azir Aliu Ministër i Shoqërisë Informative dhe Administratës dhe Kaja Shukova për Ministër të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Debati për zgjedhjen e ministrave të rinj ka nisur dje, pasi pas një debati 10-ditor janë shkarkuar ministrat e Alternativës, ai i Shëndetësisë Bekim Sali, Shoqërisë Informative dhe Administratës Admirim Aliti dhe Ministrit pa portofol për Diasporën, Xhemail Çupi.
Në seancën e 104-të pas zgjedhjes së ministrave duhet të diskutohet dhe votohet për shkarkimin e pesë zëvendësministrave dhe të emërohen të rinj, përcjell Klan Macedonia.