Sipas rezultateve të para të regjistrimit të vitit 2022, në Republikën e Serbisë jetojnë 6,690,887 banorë – që është 6,9 për qind më pak se në regjistrimin e vitit 2011. Në rajonin e Beogradit është rritur numri i banorëve, shkruan Rts, transmeton Klan Kosova.
Rezultatet e para të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, të publikuara në faqen e internetit të Institutit Republikan të Statistikave, tregojnë se në Republikën e Serbisë jetojnë 6 milionë e 690 mijë e 887 persona.
Regjistrimi mblodhi të dhëna për 2 milion e 520 mijë e 854 familje dhe 3 milion e 628 mijë e 175 apartamente.
Krahasuar me Censusin e vitit 2011, numri i përgjithshëm i banorëve serbë është ulur me 495 mijë e 975, ose me 6.9 përqind. Rënie e numrit të banorëve është shënuar në të gjitha rajonet (rreth 10 përqind), me përjashtim të rajonit të Beogradit, ku numri i banorëve është rritur për rreth 1.6 përqind.
Sa i përket të dhënave për amvisëritë dhe banesat, nuk ka ndryshim të dukshëm në numrin e përgjithshëm të amvisërive (rritje prej 1.33 përqind), ndërsa numri i përgjithshëm i banesave është rritur për 12.26 përqind krahasuar me regjistrimin e vitit 2011.
Rritja më e madhe e numrit të banesave është shënuar në rajonin e Beogradit (18,55 përqind).
Regjistrimi u krye nga 1 deri më 31 tetor 2022. Në disa qytete më të mëdha, mbledhja e të dhënave në terren u zgjat deri më 7 nëntor. Gjithashtu, qytetarët që për çfarëdo arsye nuk janë regjistruar, lejohen të regjistrohen me telefon deri më 17 nëntor 2022.
Duke marrë parasysh qëllimin e regjistrimit të popullsisë – të sigurojë një pasqyrë gjithëpërfshirëse të të gjithë popullsisë – në përputhje me praktikën pozitive ndërkombëtare, baza e të dhënave e marrë me regjistrim të drejtpërdrejtë është plotësuar me informata nga të dhënat administrative, thuhet në njoftim.
Rezultatet e para të listës përmbajnë të dhëna bazë për numrin total të personave të regjistruar, numrin e banorëve, amvisërive dhe banesave, sipas situatës më 30 shtator 2022.
“Rezultatet e para janë subjekt i ndryshimeve gjatë përpunimit statistikor të të dhënave. Rezultatet përfundimtare do të publikohen radhazi, nga prilli 2023 deri në qershor 2024”, thuhet në faqen e internetit të Byrosë serbe së Statistikave.