Renditja speciale e IFFHS për vitin 2023

Sylvinho i teti në renditjen e trajnerëve të kombëtareve, triumfon Pep Guardiola

Suksesi i Sylvinho me kombëtaren shqiptare është vlerësuar maksimalisht nga ekspertët të Federatës Ndërkombëtare të Historisë dhe Statistikave në Futboll. Trajneri i kuqezinjve gjendet i teti në renditjen e më të mirëve në rangun e përfaqësueseve për vitin 2023.

Kualifikimi në Euro2024 për herë të dytë në histori duket se ka qenë meritë edhe e teknikut 49-vjeçar i cili në këtë renditje speciale lë pas emra si Walid Regragui të Maroku dhe Steve Clarke të Skocisë. Shpallja kampion Bote e Argjentinës u shoqërua me vlerësim për teknikun Lionel Skaloni, që kryeson këtë renditje për ekipet kombëtare.

Ndërkaq, Pep Guardiola është vlerësuar si trajneri më i mirë i vitit 2023 nga Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave në Futboll. Sukseset me Manchester City kanë kurorëzuar me këtë çmim individual spanjollin, që e fiton për herë të tretë pas viteve 2009 dhe 2011. Gjatë vitit kalendarik 2023, Pep Guardiola fitoi gjithçka: Premier League, FA Cup, UEFA Champions League, Superkupën e Europës dhe Kupën e Botës për Klube.

Pep është i vetmi trajner që ka fituar 4 Kupa të Botës për Klube me 3 klube të ndryshme Barcelona, Bayern Munchen dhe Manchester City. Katalanasi vazhdon të shkruajë historinë e tij në librin e futbollit, pasi ka fituar tashmë 37 trofe në 14 vjet. Gjatë kësaj periudhe, 52-vjeçari është renditur gjithmonë në një prej pesë vendeve të para si trajneri i vitit në Botë. Pas tij me diferencë të theksuar  janë tre trajnerë italianë: Carlo Ancelotti, tashmë fitues i 3 çmimeve, Luciano Spaletti dhe Simone Inzaghi.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share