Procesi i regjistrimit të popullatës dhe amvisërive i filluar me 1 tetor në Serbi, ka përfunduar sonte më 31 tetor.
Në Luginë të Preshevës dhe të gjitha vendbanimet shqiptare ka pasur një mobilizim për pasqyrim sa më të drejtë të shqiptarëve që jetojnë në këto treva.
Procesi është zhvilluar pa ndonjë problem, ndërsa rezultatet preliminare i përgënjeshtrojnë autoritet shtetërore serbe të cilat shqiptarët i konsideronin vetëm 5200 banorë, në bazë të regjistrimit të 2011–tës.
Nga Kabineti i Kryetarit të Preshevës, Shqipërim Arifi për Telegrafin kanë thënë se në bazë të të dhënave të fundit në Preshevë rezultojnë 59 mijë banorë.
Në Bujanoc mbi 45 mijë e 500 banorë, derisa në Medvegjë janë regjistruar mbi 8 mijë e 500 banorë.
“Sipas të dhënave të fundit nga instruktorët tanë, rezultatet preliminare janë: Komuna e Preshevës momentalisht ka 59.024 banorë të regjistruar. Ndërkaq, në Bujanoc janë 54.547 banorë të regjistruar. Në Medvegjë numri është 8537”, kanë thënë për Telegrafin Stafi i Kryetarit të Komunës së Preshevës.
Duke pasur parasysh përbërjen demografike sidomos në Preshevë, numri i shqiptarëve në Serbi i afrohet shifrës 100 mijë.
Përgjigje, dilemat do të marrin pas një nëntorit, datë kur përfundon regjistrimi i popullsisë dhe publikimit zyrtar të rezultateve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se shqiptarët që jetojnë në Serbi e të cilët në vazhdimësi përballen me diskriminim në bazë të kombësisë, e së fundmi edhe me pasivizim të adresave, iu përgjigjën masivisht procesit të regjistrimit.
Kurti tha se përkundër pengesave të shumta shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, janë aktivizuar në maksimum për një muaj rresht, që të regjistrohen të gjithë, e edhe ata që janë me banim të përkohshëm në Kosovë e diasporë.
Kryeministri ka kërkuar vëzhgim nga bashkësia ndërkombëtare për procesin e përpunimit të të dhënave.
“Jemi të vetëdijshëm që edhe përpunimi i të dhënave, proces në të cilin shqiptarët nuk do të kenë qasje, është shumë i rëndësishëm. Duke pasur parasysh deklaratat skandaloze të kreut të Serbisë se shifrat e paraqitura, ende pa përfunduar procesi, janë shifra të fryra nga shqiptarët, kërkojmë vëzhgim nga bashkësia ndërkombëtare. Këto deklarata dëshmojnë se pse procesi i regjistrimit të popullsisë e pasurive, për shqiptarët ka rëndësi historike e kombëtare”, ka deklaruar Kurti