Rebelimi i Wagner, BBC: Xhindi doli nga llamba

Gjërat po lëvizin me shpejtësi në jug të Rusisë për momentin. Shefi i grupit mercenar Wagner Yevgeny Prigozhin tha se forcat e tij kontrollojnë qendrat kryesore të qytetit rus Rostov-on-Don.

Ai postoi një video në të cilën tha se trupat e Wagner do të vazhdojnë bllokadën në qytet dhe do të lëvizin drejt Moskës nëse krerët e mbrojtjes ruse, ministri Shoigu dhe Valery Gerasimov nuk e takojnë. E sipas korrespondentit të BBC, Frank Gardner, kjo situatë nuk mund të vinte më mirë për Ukrainën.

“Litar shpëtimi”, e konsideron ai situatën që po ndodh ndërkohë që Kievi po përshtatej me perspektivën se kundërsulmi i premtuar prej kohësh nuk kishte gjasa të dëbonte forcat ruse këtë vit.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

“Me Kremlinin dhe Wagner tashmë më të zënë me “sherrin” mes tyre, kjo heq nga fusha e betejës, disa nga forcat ruse më efektive”, shkruan BBC.

Madje kjo sfidë ndaj Moskës mund të dëmtojë moralin e trupave të saj në frontin e luftës.

“Në një botë ideale kjo përfundon me Rusinë që të anulojë luftën dhe të tërheq trupat nga Ukraina. Por kjo ka pak gjasa të jetë e lehtë”, shkruan më tej BBC.

Madje në Perëndim mund të ketë shqetësim për një kolaps të mundshëm të shtetit rus, një vend me më shumë se 4 mijë koka bërthamore. Një tjetër, hipotezë është se sfida e Prigozhinit do të jetë afatshkurtër dhe se forcat e tij do të rrethohen.

“Por çfarëdo që të ndodhë më tej, xhindi ka dalë nga llamba”, shkruan BBC.

Mercenari që i dha Rusisë suksesin e vetëm të rëndësishëm në disa muaj në Bakhmut, i ka thënë popullit rus se i gjithë preteksti për pushtimin ishte një gënjeshtër dhe se kërcënimi nga Ukraina ishte një ide e shpikur.

E pikërisht duke marrë shkas nga kjo situatë, në Moskë janë marrë masa të forta anti-terrori. Mjete të blinduara janë parë në rrugë të ndryshme. Ndërkohë mediat e huaja kanë publikuar foto nga trupat Wagner në qytetin rus.

Sipas BBC, pas deklaratave kërcënuese, u shfaq një video ku Prigozhin takohej me zv/ministrin rus të mbrojtjes Yunus-Bek Yevkurov.

Ndërsa ministri rus i Mbrojtjes i bëri thirrje luftëtarëve të Wagner. Sipas tij, ata janë “mashtruar në aventurën kriminale dhe rebelimin e armatosur” nga Prigozhin.

Në një deklaratë të transmetuar në mediat shtetërore, ministria tha se shumë anëtarë të Wagner “tashmë e kishin kuptuar gabimin e tyre” dhe kërkonin ndihmë nga autoritetet që të mund të “ktheheshin të sigurt” në bazat e tyre të përhershme.

Por sipas BBC asnjë provë nuk u shfaq për këtë pretendim. Ndërkohë, kanali televiziv Rossiya 24 transmetoi pamje që supozohet se tregonin anëtarët e Wagner që ktheheshin nën kontrollin e forcave të armatosura.

BBC thotë se videoja nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur. Prigozhin ende nuk ka komentuar publikisht deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes.

Grupi Wagner është një organizatë paraushtarake që lufton përkrah forcave ruse në Ukrainë.

Prigozhin ka qenë dikur aleat i Putinit. Në Janar të këtij viti, SHBA-ja e ka shpallur grupin e tij, Wagner, organizatë kriminale transkombëtare, për shkak të aktiviteteve në Ukrainë, por edhe në Lindje të Mesme dhe në Afrikë. Si Prigozhin, ashtu edhe grupi janë të sanksionuar nga Perëndimi./tvklan.al

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share