Reagon Kurti: 3 policët e Kosovës u rrëmbyen nga Serbia si hakmarrje për arrestimin e kriminelit Lune

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar për rrëmbimin në kufi të 3 policëve kosovarë nga ana e forcave speciale serbe.

Në një reagim në rrjetet sociale, Kurti shkruan se policët kanë qenë 300 metra në brendësi të territorit të Kosovës, ndërsa forcat serbe kanë kaluar kufirin.

Kryeministri Kurti kërkon lirimin e menjëhershëm të 3 efektivëve të policisë së Kosovës, ndërsa thekson se kjo lëvizje e Serbisë është bërë si hakmarrje për arrestimin në Kosovë të Millun Millenkoviq, një nga organizatorët e dhunës ndaj KFOR-it në veri.

“Tre zyrtarë të policisë së Kosovës janë rrëmbyer sot në Leposaviq në vendin ku dikur kishte një rrugë ilegale të kontrabandës e që ndodhet rreth 300 metra në brendësi të territorit të shtetit tonë.

Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës. Policia e Kosovës është treguar tejet e vetëpërmbajtur këto javët e fundit.  Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ftojmë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë”, thotë Kryeministri Albin Kurti. /tvklan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share