Reagimet e partive opozitare në Kosovë pas takimit të Ohrit

PDK: Marrëveshja në Ohër është një dështim i madh politik

LDK: Mashtrim dhe humbje e një mundësie historike

Një varg reagimesh nga opozita në Kosovë. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi marrëveshjen e mbrëmshme e ka cilësuar si një dështim të madh politik. Për LDK-në kjo marrëveshje është mashtrim dhe humbje e një mundësie historike.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka komentuar takimin e djeshëm në Ohër dhe rezultatet që prodhoi ai takim. Krasniqi në një postim në “Facebook”, ka shkruar se në më pak se tri javë, Kurti pranoi gjithçka që kishte premtuar se nuk do të pranonte.

Në më pak se tri javë, Albin Kurti pranoi gjithçka që kishte premtuar se nuk do të pranonte, përgjatë tërë jetës së tij politike me predikime të rrejshme e mashtrime të panumërta. Marrëveshja pa njohje reciproke, e përqendruar në një asociacion të avancuar e autonomi politike për komunitetin serb dhe pa garanci për integrimin euro-atlantik të Kosovës është dështim i madh politik e kombëtar, të cilin do ta paguajmë shtrenjtë dhe gjatë, të gjithë”, ka shkruar Krasniqi.

Kreu i partisë opozitare Lidhja Demokratike e Kosoves e quajti marrëveshjen në Ohër, mashtrim dhe humbje të një mundësie historike. Sipas Abdixhikut, ajo që u arrit është një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me asociacion në të.

‘Ky është epilogu i Kurtit si kryeministër në dialog. Kushtet e vëna, fjalimet e thëna, qëndrimet e dhëna, thjeshtë u zhbënë. Kjo gjendje e re, e shndërruar si detyrim integrues për vendin tonë, është e pariparueshme më’, thekson Abdixhiku

Nga ana tjetër, PSD e Dardan Molliqajt ka ftuar në protesta më 25 Mars në Prishtinë. Sipas kësaj partie, Kurti nuk ka mandat për këtë marrëveshje.

Ndërkohë që kanë munguar reagimet e përfaqësuesve të tjerë opozitarë./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share