Reagim nga Aleanca për Shqiptarët: Të dënohet publikimi i Ambasadës ruse, shkilet Kushtetuta dhe nxiten tensione

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ndaj publikimit që sot në rrjetet sociale e bëri Ambasada e Rusisë në Maqedoni. Në reagimin e kësaj partie thuhet se Ambasada ruse në Shkup ka shkelur rëndë Kushtetutën e vendit, ku Kosova njihet si shtet i pavarur dhe sovran.

“Kërkojmë nga Ministri i Punëve të Jashtme që të thërret ambasadorin rus për shpjegime dhe për të protestuar ndaj intervenimeve të tilla brutale nga ana e Rusisë. Maqedonia e Veriut si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian nuk guxon të lejojë ndikime të tilla malinje nga një ambasadë e akredituar në Shkup. Heshtje ndaj provokimeve të këtilla mund të kuptohet si legjitimim i zgjerimit të agjendës ruse në Ballkan, e cila bashkë me politikën luftënxitëse të Serbisë karshi Republikës së Kosovës, janë rrezikim direkt i paqes dhe sigurisë në rajon si dhe sabotim i i perspektivës evropiane të Ballkanit perëndimor”, thuhet më tej në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme Ambasada e Rusisë publikoi një fotografi me mbishkrimin “Kosova është Serbi, Krimea është Rusi”./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share