Rasti “Bushi” – VMRO kërkon përgjegjësi

Bushi: Nuk e di kush ka paguar, ishim mysafirë të miqve familjarë

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dragan Kovaçki është deklaruar në lidhje me raportimet e fundit në media se zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nazim Bushi ishte akomoduar në hotel luksoz në Turqi ku është paguar 20 mijë euro për një natë. Kovaçki ka kërkuar llogari nga Bushi në lidhje me akomodimin në fjalë si dhe për mënyrën dhe qëllimin e pagesës. Qytetarët, sipas tij, duhet ta dinë të vërtetën.

“Sigurisht që do të vazhdojmë të kërkojmë përgjegjësi. Zotëriu Nazim Bushi është funksionar qeveritar dhe si personazh publik duhet të jetë përgjegjës para qytetarëve. Ai duhet të thotë se si ka arritur të paguajë qëndrimin e asaj nate prej 20 mijë eurove, gjegjësisht ku i ka marrë ato para dhe nëse ai nuk ka paguar, atëherë kush është ai që e ka paguar atë akomodim, përkatësisht sa është interesi i personit që ka paguar atë akomodim. Publiku është në pritje të përgjigjeve”, deklaroi deputeti i VMRO-së, Kovaçki.

Ndërkaq gjatë ditës së djeshme, Nazim Bushi, në një pronocim për Klan Maqedoni deklaroi se udhëtimi në fjalë kishte qenë privat dhe i rezervuar para se ai të bëhet zëvendësministër. Akomodimi, sipas Bushit, nuk ka qenë vetëm për të, por për disa persona që kanë qëndruar në një apartament, si mysafirë të disa miqve të familjes së tyre në Turqi.

“Bëhet fjalë për udhëtim privat para tre viteve, i planifikuar tre-katër muaj para se të bëhem Zv/Ministër. Ishim në Turqi për intervenim mjekësor për një anëtar të familjes në “Koç Hospital”. Në apartamentin e hotelit kemi qëndruar më shumë persona, ishim mysafirë të dy miqve familjar që janë kujdesur për akomodimin. Nuk e di se kush e ka paguar llogarinë dhe sa kushton nata, por shuma prej 20.000 euro është e tepruar”, deklaroi për Klan Maqedoni, Nazim Bushi.

Për rastin në fjalë u deklaruan edhe nga MPB. Përgjigjja e tyre ishte e prerë.

”Bëhet fjalë për udhëtim për qëllime private që nuk është paguar nga MPB-ja” – thuhet në përgjigjen.

Ditëve të fundit dolën informacione se në Maqedoninë e Veriut për vitin e kaluar janë harxhuar më shumë se 270 mijë euro për harxhime zyrtare. /KlanMacedonia/

 

Bushi: Udhëtimi privat në Turqi i planifikuar para se të bëhem Zv/Ministër

Lexo gjithashtu
Total
0
Share