Rasti ”Besa Trans”/ Dënim minimal për pronarin e kompanisë dhe ndalesë të përkohshme për veprimtari

RASTI “BESA TRANS”

“Për veprën penale, falsifikim të dokumentit, neni 379 paragrafi 3, në lidhje me alinenë 1, në lidhje me neni 45, e dënon me dënim me burg në kohëzgjatje prej 1 viti e 8 muaj”.

Gjykata Penale Shkup dënoi me 1,8 vite burg dhe 800.000 denarë dënim në të holla, Bekim Haxhiu, pronarin e kompanisë “Besa Trans”, në pronësi të së cilit ishte autobusi i cili u dogj në Bullgari, e në të cilin ndërruan jetë 45 qytetarë, ndërsa kompanisë iu ndalua veprimtaria për 4 vite. Aktgjykimi i shpallur nga kjo gjykatë, kishte të bënte me aktakuzën për falsifikim të licencës, me të cilën autobusi i aksidentuar, ka bërë transportime ndërkombëtare, e jo për tragjedinë.

Edhe pse dënimi i dhënë për këtë vepër penale është pothuajse minimal, pala mbrojtëse megjithatë e vlerëson si shumë të lartë këtë dënim dhe paralajmëroi ankimim të vendimit. Avokati Asmir Alispahiq pretendon se, akuza me të cilën u ngarkua Haxhiu nuk qëndron dhe pasi ai dokument i falsifikuar, as nuk është përgatitur, as nuk është përdorur dhe as nuk ekziston. Sipas tij, kjo vepër penale nuk ndërlidhet aspak me atë që ndodhi si fatkeqësi në Bullgari.

“Edhe pse dënimi është i paraparë prej 1 deri në 5 vite si dënim me burg, vlerësoj se, në situatën konkrete, dënimi i dhënë është shumë i lartë. Sipas mbrojtjes, në lëndën konkrete penalo – juridike, jo vetëm që nuk mund të qëndrojë kjo vepër penale, por as nuk duhej që i akuzuari, Bekim Haxhiu dhe personi juridik të akuzohen” – tha Asmir Alispahiq, avokat i Bekim Haxhiut.

Ndërkohë, prokurori i rastit, Vlladimir Milloshevski tha se, gjykata e ka pranuar në tërësi aktakuzën dhe i shpalli fajtorë të akuzuarin dhe personin juridik të akuzuar

“Ministria për Transport dhe Lidhje nuk ka dhënë fare certifikatë të licencës për autobusin konkret, as nuk është dorëzuar kërkesë, as nuk është dhënë. Kjo do të thotë se, autobusi, ka treguar para organeve kompetente shtetërore certifikatë të licencës, ndërsa një e tillë nuk është lëshuar fare nga organet kompetente për atë autobusë” – tha Vlladimir Milloshevski, prokuror i rastit.

Aksidenti tragjik  ndodhi më 23 nëntor të vitit 2021 në orët e para të mëngjesit, kur autobusi i Shkupit i cili po kthehej nga Stambolli me turistë, u përplas në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek dhe më pas mori flakë. Në mesin e 45 të vdekurve ishin 12 fëmijë, ndërsa 7 mbijetuan. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share