“Raste flagrante” – Taravari me thirrje për BDI-në: Partnerët tanë t’i përkrahin nismat tona

Jam i gëzuar që pas një kohe me disa raste kritike të punësimeve, BDI-ja po fillon të shohë me kujdesin e duhur këtë çështje. Kështu e nis reagimin e tij për punësimet e maqedonasve me deklarata të rreme se janë shqiptarë, i pari i ASH-së Arben Taravari. Sipas tij, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, është kthyer obligativ punësimi i shqiptarëve por de facto nuk ka qënë kështu, përcjell Klan Macedonia.
“Ka raste flagrante të tjetërsimit të kombësisë vetëm për të përfituar një vend pune si për shembull rasti në Komunën e Kumanovës, dhe ka qënë ky rast që ka ndezur sirenat e alarmit, edhe tek ata të cilët me vite nuk i dëgjojnë këto sirena. Deklaratat mashtruese dhe mbi të gjitha anti-ligjore për identitetin kombëtar janë bërë fatkeqsisht një zakon shumë vjeçar por falë Zotit duket se tani janë mobilizuar të gjithë për t’i ndaluar. Duke e parë këtë gjë si parimore dhe urgjente dua të kujtoj dhe faktin skandaloz se në institucione si Agjencia Rregullative e Sektorit Hekurudhor, Komisioni Rregullativ për Banim ose Drejtoria për Siguri nga Rrezatimi numri i shqiptarëve të punësuar është i barabartë me zero. Po ashtu konstatoj me keqardhje se në Shërbimet e Qeverisë shqiptarët janë vetëm 6,9%, në Presidencë vetëm 12,7%, në Ministrinë e Mbrojtjes vetëm 13,3%”, thotë Taravari.
Taravari mendon se situata është alarmante e madje, sipas tij, alarmi është i kuq, i dukshëm dhe nuk ka nevojë të pritet asnjë minutë më shumë nga vitet që nuk është bërë asgjë për ta ndryshuar, përcjell KlanM.
Sipas tij është koha për një nismë legjislative për të ndryshuar Ligjin për të punësuarit në sektorin publik, neni 3, paragrafi 3, i cili,siç thotë kreu i ASH-së, në mënyrë flagrante shkel parimin kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, duke përjashtuar zbatimin e tij gjatë procesit të rekrutimit dhe punësimit në organet më të rëndësishme të sovranitetit shtetëror siç janë Armata, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia për Siguri Nacionale, Agjencia e Inteligjencës dhe Drejtoria e Policisë Financiare.
“Apeloj tek partnerët tanë politikë, e sidomos i bëj thirrje BDI-së si një parti që ka sensibilitet natyror ndaj shqiptarëve, të angazhohet seriozisht dhe të përkrahë nismat konkrete të bartura nga ASh në nivel Qëndror për të zbatuar përfundimisht parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, si :
1. Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat me mekanizma të qartë zbatues dhe sanksionues ;
2. Amandametimin e Ligjit për të punësuarit në sektorin publik për të ndalur shkeljen e Kushtetutës në sektorin e sigurisë ;
3. Futjen e përkatësisë kombëtare në çertifikatat e lindjes për të ndalur njëherë e mirë deklaratat abuzive të përkatësisë”, thuhet në reagimin e Arben taravarit./KlanMacedonia
Lexo gjithashtu
Total
0
Share