RAMAZANI NË FUSHATË PARAZGJEDHORE
Kandidati presidencial i BDI-së, Bujar Osmani, fillimisht zbarkoi në Treg. “Ditë Tregu” e ka pagëzuar postimin në Facebook, ku shihet bashkë me familjen duke bërë “pazar” por edhe duke bashkëbiseduar me shitësit dhe kalimtarët e rastit.
Por, gjykuar sipas postimeve nëpër rrjetet sociale, dita e Ramazanit nuk përfundoi me kaq.
Për iftar ishte në Tetovë. Iftarin e kishte organizuar Shtabi komunal i BDI-së, dega Tetovë.
Dita e agjërimit nisi mbarë dhe duhet të përfundojë së mbari. Pas iftarit në Tetovë, syfyrin e kishin përgatitur Dega e BDI-së në Shuto Orizarë.
Osmani e ka quajtur Degë shembull për aktivitet dhe kreativitet.
Politikanëve tashmë nuk u mjaftojnë vetëm iftaret. Kanë nis të shtrojnë edhe syfyre.
Përmes një postimi në Facebook, kandidati për president nga koalicioni VLEN, Arben Taravari, njoftoi se syfyrin e kishte ngrënë bashkë me zjarrfikësit e Gostivarit.
“Një syfyr shumë miqësor me ata që janë gjithmonë në krye të detyrës dhe kujdesen për sigurinë tonë. Agjërim të lehtë e të pranuar”, shprehet Taravari.
Se syfyri po kthehet në “modë” e ka dëshmuar edhe Izet Mexhiti. Atë syfyri e kishte zënë në Studeniçan të Karshiakës.
Por, paraprakisht për iftar kishte qenë në Komunën e Sarajit. /tvklan.mk/