Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me ekipin e negociatave me Bashkimin Europian. Kreu i qeverisë i kërkoi skuadrës së negociatorëve që tashmë të fitojnë respektin në aspektin teknik ashtu siç ndodhi me aspektin politik.
“Atë respekt që kemi fituar në aspektin politik, duhet ta fitojmë tani në aspektin teknik. Dua që në Bruksel skuadra shqiptare të krijojë një përshtypje absolutisht pozitive, dhe dua që në Bruksel të flitet për seriozitetin, të flitet për këmbënguljen, për kapacitet dhe cilësitë e punës së skuadrës shqiptare”, u shpreh Rama.
Rama tha se e njeh pjesën më të madhe të ekipit dhe i vlerëson ata për cilësitë. Këtu gjeti rastin që të fliste edhe për ndryshimin që bëri për Kryenegociatorin, ku në vend të Zef Mazit vendosi Majlinda Dhukën. Kjo sipas tij ka ndodhur për shkak të natyrës së re të marrëdhënieve që tashmë Shqipëria do të ketë me BE-në. Rama tha se Mazi si kryenegociator ka bërë një punë të lavdërueshme diplomatike dhe ka qenë një krah shumë i rëndësisë i qeverisë në proces. E sa i përket emrit të Majlinda Dhukës, Rama i ktheu përgjigje edhe kritikëve duke thënë se është nga ata emra që edhe pse nuk i gjen në Google, por pa të ciltë administrata jonë nuk do të funksiononte dot.
“Por është shumë e rëndësishme që të theksoj këtu se vendosja e kryenegociatores së re, faktikisht nënvizon ndryshimin e natyrës se marrëdhënieve mes nesh dhe Bashkimit Europian përmes Kryenegociatorit si urë. Ambasadori Mazi bëri një punë shumë të lavdërueshme diplomatike, duke qenë një krah shumë i rëndësishëm në këtë proces, për mua, për Ministren deri në momentin kur u vendos që negociatat të hapen formalisht. Ju e dini shumë mirë se jeni pjesë e kësaj pune që ne nuk kemi pritur hapjen e negociatave për të bërë shumë nga punët që të tjerë i kanë bërë pasi janë hapur negociatat dhe faktikisht kemi një pozicion të avantazhuar për shkak se e kemi bërë një pjesë të madhe të punës që përkon edhe me pjesën e fillimit zyrtar të negociatave, por natyra shumë teknike tani e procesit kërkon pikërisht një profil shumë teknik.
Më bëri pështypje dikush që kur doli emri i kryenegociatores, thoshte: “E kërkova në Google dhe nuk e gjeta”. Kjo është pikërisht arsyeja pse ka një ndryshim themelor. Ka shumë njerëz në administratën tonë që nuk i gjen në Google, po pa të cilët administrata jonë nuk do funksiononte dot. Janë pjesë e palcës së shtetit shqiptar. Njerëz që mund të jenë në zyra qysh prej fillim viteve ’90 edhe i kanë shërbyer shtetit me përulësi, me modestinë intelektuale të dikujt që është gjithmonë në hije, por sikur largëqoftë të mos kishin qenë ata njerëz dhe gjithçka të kishte mbetur në dorën e atyre që hyjnë e dalin shpeshherë si në mallin e babait, këtu ne do ishim në një situatë si ajo pas tërmetit. Fatmirësisht janë njerëzit si Kryenegociatorja që kanë bërë pjesën e tyre të punës. Kjo është e gjitha”.