Kryeministri i vendit Edi Rama ka reaguar i prekur nga tërmeti tragjik në Turqi dhe Siri.
Përmes një postimi në Twitter, Rama shpreh ngushëllimet e tij për jetët e humbura dhe uron shërim të shpejtë për të lënduarit. Ai shton se një mision shpëtimi do të niset sot drejt Turqisë.
“I pikëlluar thellësisht për lajmin e mëngjesit të sotëm për tërmetin shkatërrues që goditi disa pjesë të Turqisë dhe Sirisë. Ngushëllimet tona më të thella për familjet e shumta që humbën jetën dhe u urojmë shërim të shpejtë të lënduarve. Një mision shpëtimi solidariteti do të niset sot për në Turqi”-shkruan kreu i ekzekutivit.
Begaj: I pikëlluar thellësisht nga tërmeti shkatërrues në Turqi, unë dhe shqiptarët qëndrojmë pranë të prekurve
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet për tërmetin tragjik në Turqi dhe Siri.
Përmes një postimi në Twitter, kreu i Shtetit shkruan se ai dhe shqiptarët janë pranë familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre nga kjo tragjedi e tmerrshme.
“I pikëlluar thellësisht nga tërmeti shkatërrues që goditi #Turkiye dhe #Sirinë këtë mëngjes. Unë dhe shqiptarët qëndrojmë pranë njerëzve të prekur dhe familjeve të tyre, që humbën të dashurit e tyre në këtë tragjedi të tmerrshme, duke shprehur ngushëllimet, mendimet dhe lutjet tona të sinqerta”, shkruan Begaj.
Asnjë shqiptar i lënduar prej tërmetit tragjik në Turqi, Xhaçka: Jemi gati të ndihmojmë
Për tërmetin tragjik në Turqi dhe Siri, ka reaguar dhe ministrja e Evropës dhe Punëve të Jashtme Olta Xhaçka.
Përmes një postimi në Twitter, Xhaçka shkruan se Shqipëria është gati të ndihmojë me sa mundet në këtë moment të vështirë për Turqinë.
“Zemrat dhe lutjet tona shkojnë për viktimat e tërmetit tragjik që goditi #Turqinë & #Sirinë sot duke shkaktuar qindra viktima. Në këtë orë të vështirë, ne jemi gati të ndihmojmë #Turqinë në çdo mënyrë që mundemi”, shkruan ministrja Xhaçka.
Ndërkohë, bazuar në komunikimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Turqi (që prej orëve të para të mëngjesit e deri tani) nuk ka informacion për shqiptarë të lënduar ose që mund të kenë humbur jetën.
Në Turqi mësohet se janë pezulluar fluturimet nga aeroportet në zonat e prekura deri në një urdhër të dytë, po ashtu janë pezulluar aktivitetet sportive dhe mësimi për dy javë.
Tërmeti në Turqi, Veliaj: Jemi me ju, me kujtimet ende të freskëta nga tragjedia jonë e 26 Nëntorit!
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka shprehur solidaritetin me të gjithë familjet e prekura nga tërmeti shkatërrues në Turqi.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj shpreh ngushëllimet e tij ndaj familjarëve që humbën të dashurit e tyre dhe ka treguar mbështetjen e Shqipërisë ndaj popullit turk për këtë humbje të madhe njerëzish.
“Sot Tirana u zgjua me lajmin e tërmetit shkatërrues në Turqi. Zemrat dhe mendjet tona shkojnë për të gjithë të prekurit dhe familjet që kanë humbur të dashurit e tyre! Jemi me ju, me kujtimet ende të freskëta nga tragjedia jonë e 26 nëntorit, por edhe me ngrohtësinë e solidaritetit mes dy kombeve tona”, shkruan Veliaj./tvklan.al
https://twitter.com/ediramaal/status/1622525541067767809