“Në 14 Maj heqim apendicitin e shqiptarëve”
Edi Rama pas fiks 1 jave iu rikthye fushatës elektorale, dhe tani pasi hoqi apendicitin e tij, kërkon të heqë siç thotë dhe apendicitin e shqiptarëve, që ai vetë konsideron se janë dyshja Berisha e Meta.
“Me këtë rast e mësova që apendiciti qenka përgjithësisht një hall për të rinj, por në të gjitha rastet erdhi në një moment kur kemi një apendicit më të rëndësishëm për të hequr që është apendiciti i dhimbshëm i shumë viteve me dy koka, emrat e të cilave nuk po i përmend që të mos e prishim kënaqësinë e kësaj feste të gjelbër”.
Kamzën e cilëson si simbolin më të prekshëm të rilindjes, e Rakip Sulin që kërkon një mandat të dytë për të drejtuar bashkinë, punëmbaruarin tipik.
“Këtu është puna për gomarin që do merrni t’ju shërbejë. E doni gomarin me kurriz të fortë siç është ky gomari këtu apo e doni gomarin me dy veshë të gjata? Si e doni? Doni që kur të shkoni tek bashkia t’ju dalë përpara gomari që ia vini drutë sipër e i thoni ec, apo doni që kur të shkoni te bashkia t’ju dalë gomari me dy veshët e gjata? Edhe ju ça do bëni pastaj? Do ngrini dhe ju veshët e do shkoni në shtëpi me bishtin ndër shalë siç keni qenë në të gjitha vitet? Dy gishtat lart dhe bishtin ndër shalë. Sepse as ujë, as kanale, asgjë. Edhe rrugët 4 metra të gjëra asfalt, 7 gropa dhe emrin e Donald Trump e të Marilyn Monroe, e të Dubait, e të Saliut. Këto doni”?
E në rast se do të zgjedhin të mos t’i rijapin besimin Sulit për të drejtuar Bashkinë e Kamzës apo kandidatëve të tjerë socialist, Rama bën një përbetim publik.
“Dhe t’u them dhe një gjë tjetër e po ua them shumë troç. Kush do fusë gomarin me veshë të gjata në bashki, ta harrojë qeverinë. Ta harrojë mbështetjen nga qeveria. Ne nuk mundet kurrë të na vënë përpara faktit të kryer me demek në emër të votës dhe të na detyrojnë të bashkëpunojnë me individë të shpallur “non grata” jo nga unë, me individë të shpallur “non grata” jo nga Mali i Zi, as nga Maqedonia, por nga SHBA”.
Ironizon dhe projektet e rivalit demokrat të Veliajt për nënkalimin në Sheshin Skënderbej.
“E dëgjuat këtë figurën? Se këta të bëjnë edhe me vdek fare, nga e qeshura, kuptohet. Do hapim sheshin Skënderbej tha, do bëhet me nënkalime. Pse? Sepse këta dinë vetëm të hapin gropa. Këta, një gropë nuk dinë ça të bëjnë kur e hapin. Një. Këta hapin vetëm gropa”.
Përgjigjen atyre që ironizojnë përzgjedhjen e këngës së fushatës, ja u jep duke ngritur lart zërin e refrenit që këndohet nga një këngëtar i turbofolkut.
Tv Klan