Kryeministri Edi Rama është pritur në një takim nga Presidenti i Izraelit gjatë vizitës zyrtare që po zhvillon në këtë shtet.
Në takimin me Presidentin Isaac Herzog, u diskutua për forcimin e bashkëpunimit mes shteteve, por u vlerësua edhe miqësia që ekziston mes dy vendeve.
Kryeministri Rama shprehu kënaqësinë për të pasur më shumë turistë nga Izraeli në Shqipëri, teksa theksoi se vendi ynë është një shtëpi e dytë për hebrenjtë.
“Shpresoj që një President izraelit të vizitojë Shqipërinë, nuk e ka vizituar asnjëherë më parë. Vlerësojmë mikpritjen e ngrohtë këtu dhe kujdesin tuaj ndaj delegacionit shqiptar. Shpresojmë që të shikojmë më shumë turistë izraelitë. Jam i sigurtë se kanë shumë për të parë dhe për të përjetuar në Shqipëri dhe do të ndihen si në shtëpi, sepse Shqipëria ka qenë një shtëpi e dytë për popullin hebre”, tha ndër të tjera Kryeministri Edi Rama.
Gjatë vizitës zyrtare që po zhvillon në Izrael, Rama u takua edhe me Kryeministrin izraelit si dhe liderin e opozitës.
Në fokus të bisedimeve të Kryeministrit Rama në takimet me krerët më të lartë të shtetit të Izraelit, ka qenë edhe siguria kibernetike e Shqipërisë dhe sulmet e hakerave iranianë. /tvklan.al