Rama në Derviçan: Pas 30 vitesh një Kryeministër i Greqisë po viziton minoritetin grek në Shqipëri

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, ka zhvilluar takime me minoritetin grek në fshatin Derviçan të Dropullit në Gjirokastër ku është pritur nga Kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë lokalë.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama e ka falenderuar Kryeministrin grek Mitsotakis për vizitën. Kryeministri Rama po ashtu i ka shprehur mirënjohjen teksa i ka thënë se pas 30 vitesh, një kryeministër grek po viziton minoritetin grek në Shqipëri.

Rama ka shtuar se i pari dhe i fundit Kryeministër i Greqisë që ka vizituar këto zona ka qenë babi i ndjerë i kryeministrit aktual, Konstandinos Mitsotakis.

Edi Rama: Ju kisha premtuar se do të ju sillja këtu të birin e të atit dhe ja ku e keni dhe është vërtetë prekëse dhe për mua që nuk jam pjesë e minoritetit që të jem sot këtu pas thuajse 30 vjetësh që i pari dhe i fundit kryeministër i Greqisë ndaloi për të përshëndetur vëllezërit dhe motrat në komunitet, babai i i ndjerë i kryeministrit aktual i cili e ka pritur këtë ftesë me kënaqësi.

Duhet të vinim të nesërmen e datës 6 kur kishim samitin, por moti ishte i keq dhe kështu u detyruam që ta shtyjmë, por edhe më mirë akoma sepse nuk besoj se ka një ditë më të bukur për të ardhur këtu se sa në një vigjilje Krishtlindjesh.

Falenderoj banorët dhe kryetarin e bashkisë që ka siguruar bashkë me ju, nuk e di si e keni realizuar që të jetë ky diell kaq i bukur. Faleminderit për këtë mikëpritjen fantastike, unë nuk kam pse të mos përfitoj nga rasti dhe ta shijoj këtë pamje të të gjithëve ju për t’i dëshmuar kryeministrit të gjithë bukurinë e mirëseardhjes dhe për ta celebrauar këtë moment të rëndësishëm.

Për ne minoriteti është një urë e pazëvendësueshme e lidhjes së pazgjidhshme të komuniteteve tona dhe dua t’i përshëndes ata qytetarë si ju me kombësi greke që i kanë dhënë shumë vendit dhe që falë lirisë dhe hapjes së kufijve pas një periudhe të gjatë izolimi, mund të lëvizin lirisht mes kësaj ane dhe asaj ane të kufirit dhe më vjen mirë që përfaqësuesit e këtij minoriteti janë ndër më të rëndësishmit në ekonominë tonë. Më vjen mirë që nga ky komunitet ka aktorë, skulptorë të cilët aktivitetin e tyre e zhvillojnë në Janinë. Në mesin tonë kemi dhe djallin vetë, Spiro Dhimën, nuk kanë lënë gjë pa i thënë, por thotë një shprehje çfarë nuk të vret të bën më të fortë, kështu që ti më i fortë bëhesh.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama nuk i ka kursyer batutat teksa i ka thënë Kryeministrit grek Mitsotakis se asnjëherë nuk janë mbledhur kaq shumë banorë për të.

Rama-Mitsotakisit: Kjo është dita jote dhe me shumë respekt dhe shumë dashuri unë po bëj dhe organizatorin e lëvizjeve, fotografive sepse është me të vërtetë nder. Asnjëherë nuk janë mbledhur kaq shumë për mua që ta dish, e kemi të për shkak që të konsiderojmë mik dhe vëlla këtu në tokën tonë./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share