“T’i vesh krimit një vulë etnike është kriminale”
Vizita e Edi Ramës në Londër si i pari kryeministër shqiptar në 30 vite që merr ftesë nga homologu britanik nuk ka kaluar pa vëmendje mediatike. Kjo dhe për shkak të çështjes së emigracionit të paligjshëm dhe deklaratave denigruese të sekretares së Brendshme për shqiptarët që Edi Rama në një intervistë për BBC Radio i ka cilësuar jo thjeshtë të turpshme, por edhe kriminale. Sepse për kryeministrin shqiptar t’i vendosësh krimit një vulë etnike në vetvete është një krim.
“Për fat të keq, kemi parë se neve dhe komunitetit tonë na është drejtuar gishti në këtë vend për qëllime të politikës dhe ka qenë një moment shumë, shumë i turpshëm për politikën britanike, ka qenë një moment shumë, shumë i turpshëm për politikën britanike. E kam fjalën pikërisht për atë që është thënë nga anëtarë të kabinetit, duke nisur që nga Sekretarja e Brendshme dhe e kam fjalën pikërisht për atë çka është zhvilluar si veçim i një komuniteti të tërë, që është diçka që nuk bëhet në qytetërimin tonë dhe është diçka që nuk e përfaqëson aspak Britaninë, ndaj kjo ka qenë një pikë shumë e ulët në marrëdhëniet tona, por, siç e thashë, ka vullnet për ta tejkaluar këtë. Është e vërtetë që me forcimin e bashkëpunimit tonë ka disa rezultate të qarta që, me të drejtë, kryeministri dhe qeveria këtu po i theksojnë, por, nga ana tjetër, ne refuzojmë dhe do të refuzojmë gjithnjë këtë përzierjen e disa kriminelëve me shqiptarët si të tillë, pasi t’i vësh krimit një vulë etnike është në vetvete një krim”.
Më shumë sesa për të folur për emigracionin dhe ligjin aq të debatuar për të që po diskuton parlamenti në Mbretërinë e Bashkuar, Rama thotë hapur se do ta përdorë takimin me kryeministrin Sunak dhe çdo takim e dalje publike në 3 ditë në Londër për të hedhur poshtë perceptimin e krijuar për shqiptarët.
“Jam këtu të sigurohem që të gjithë ta dëgjojnë qartë dhe fort se shqiptarët nuk lidhen vetëm me varkat. Ashtu si Britania nuk është vetëm Xhejms Bond apo Mr. Bean, edhe ne nuk jemi vetëm “Taken”. Ne jemi këtu si një komunitet i rëndësishëm, drejtojmë automjetet, ndërtojmë, gatuajmë dhe madje edhe këndojmë për ju, kështu që nuk kemi të bëjmë vetëm me barkat, kemi të bëjmë me një çështje komplekse, që lidhet sigurisht me ambicien dhe nevojat e njerëzve në anën tonë të botës që të shkojnë në vende ku e imagjinojnë të ardhmen më shmë në duart e tyre dhe më shpejt. , nga ana tjetër, jam shumë i kënaqur që, bashkë me kryeministrin tuaj, kemi përcaktuar një rrugë të qartë për të trajtuar së bashku çfarëdolloj gjëje që duhet përjashtuar nga marrëdhënia jonë dhe nga bota jonë e ligjit dhe drejtësisë, duke u siguruar, në të njëjtën kohë, që disa mollë të kalbura të mos identifikojnë as komunitetin shqiptar këtu dhe as marrëdhëniet tona”.
Kuriozitetit të gazetarit të BBC se sa gjatë ka vendosur të rrijë në pushtet, pasi këtë vit bëhet një dekadë që drejton qeverinë shqiptare Rama i përgjigjet.
“Gjithçka ka të bëjë me zjarrin brenda dhe për sa kohë e ndiej këtë zjarr brenda, nuk do të ndalem”.
Deklaratat e Ramës dhënë për BBC janë cituar nga pothuaj të gjitha mediat e mëdha dhe tabloidet britanike si Daily Mail, The Guardian apo Huffington Post.
“The Guardian”, në shkrimin me titull “Edi Rama, artisti i botës së politikes”, nënvizon se ashtu siç Rama leu fasadat e ndërtesave të rrënuara të Tiranës me ngjyra të ndezura, ka të ngjarë të sjellë të njëjtën frymë, kundërthënëse dhe jokonvencionale edhe në bisedimet me kryeministrin Sunak.
Tv Klan