Kryeministri Edi Rama ka mbledhur në një takim dy ditor kabinetin qeveritar në Shëngjin të Lezhës.
Përveç ministrave, në këtë takim janë të pranishëm edhe sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi, kreu i grupit parlamentar, Bledi Çuçi, si edhe krerët e komisioneve parlamentare, zv/ministrat, drejtuesit politikë të qarqeve dhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla.
Pjesë e takimit janë edhe drejtoresha e AKSHIT, Mirlinda Karçanaj, drejtoresha e Kadastrës, Dallëndyshe Bici, apo edhe drejtoresha e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Eridana Cano.
Axhenda nis me një fjalë të kryeministrit Edi Rama dhe më pas Sekretari i Përgjithshëm i PS dhe kryetari i grupit parlamentar do të diskutojnë mbi problematikat e punës në parlament.
Pjesa e dytë e axhendës do të fokusohet te administrata, ku do të përfshihen rezultatet dhe sondazhet për burimet njerëzore.
Më pas, deri në orën 19:00 të pasdites, debati do të përqendrohet në katër blloqet e qeverisjes mbi problematikat e trashëguara të 2023, objektivat e 2024 dhe ndarja e kompetencave të zëvendësministrave për t’u deleguar nga ministrat menjëherë pas ‘retreat’-it.
Ndërsa dita e dytë e axhendës, do të ketë në fokus raportimet nga secili ministër për të bërë një analizë të thelluar të punës së tyre.
Klan News