Rama: Masat e Samitit nuk negociohen

“Asnjë shqetësim nga BE për sigurinë. Pasoja ligjore kush e cënon”

Në prag të mbajtjes së Samitit BE-Ballkani Perëndimor, kryeministri Edi Rama teksa theksoi rëndësinë e mbajtjes së tij në Shqipëri, si një zgjedhje strategjike nga ndërkombëtarët, ripërsëiti qëndrimin se masat e sigurisë janë të panegociueshme.

“Një vlerësim strategjik nga ana e organizatorëve për të vendosur në Tiranë këtë stacion të një rrugëtimi. Nuk është një stacion i zgjedhur rastësisht, por në mënyrë të mirëmenduar.

… perimetri i sigurisë së samiteve ndërkombëtare nuk negociohet me askënd, askund”, deklaroi Edi Rama.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Sipas Ramës, protesta e opozitës në të njëjtën ditë me samitin është absurd dhe ajo po organizohet nga ata që kanë marrë financime nga Rusia.

“Ajo është një protestë absurde që nuk ka asnjë lidhje me asgjë tjetër përveçse me vazhdimin e një misioni që tanimë, për ata që duan të shikojnë është një mision i qartë, i zbuluar në sytë e të gjithëve. Është e njëjta forcë e cila është paguar me para ruse, për të rrëzuar qeverinë e këtij vendi e ky është një fakt”, tha Rama.

Rama mohoi që nga BE të jetë shprehur shqetësim për sigurinë, ndërsa për ata që do të tentojë ta cënojnë atë Rama paralajmëroi se do të ketë pasoja ligjore.

“Nuk është shprehur asnjë shqetësim. Janë marrë të gjitha masat dhe unë shpresoj që individët e tjerë nuk do të shkojnë me këmbët e tyre në atë qorr sokak ku ka pasoja ligjore shumë të qarta. Nuk kanë arsye ta bëjnë se mund të protestojnë pak më tutje, e dyta se mund të protestojnë këtu ku e kanë bërë zakon, e treta se nuk është cështje e qeverisë shqiptare. Kjo është cështje sigurie, nuk ka asnjë vlerësim që ka ndikuar në këtë. Për shkak të mënyrës se si funksionojnë këto evente, ka gjithmonë një sistem back-up, mbështetës, për cdo gjë që mund të ndodhë”, tha kryeministri Rama.

Kreu i qeverisë dha një  përgjigje për pjesëmarrjen e Serbisë në Samit, për të cilën tha se mungesa e saj  do të ishte katastrofike.

“Nuk emocionohem nga deklaratat që bëjnë politikanët brenda dhe jashtë vendit tonë për qëllime të politikës së tyre të brendshme. Serbia do të jetë në samit dhe presidenti i Serbisë, nuk ka asnjë rrugë tjetër përveçse të vijë në samit. Jua them këtë me bindje. Sepse e kundërta do të ishte katastrofë për Serbinë dhe për atë vetë natyrisht”, shtoi Rama.

Teksa zbuloi se Kryeministri i Spanjës do të jetë lideri i vetëm i cili nuk do të marrë pjesë në samit, Rama dha detaje edhe për telefonatën me kryeministrin e Britanisë, Rishi Sunak.

“Më ka shprehur keqardhjen për çfarë ka ndodhur dhe ju e dini shumë mirë se çfarë ka ndodhur, për shkak të deklaratave të pamenduara dhe të lëshuara qesim siç i themi ne këtej nga fshatrat e Tiranës në raport me shqiptarët dhe kemi diskutuar për këtë çështje, por jo vetëm për këtë çështje. Nuk është folur për asgjë të re, thjesht për të bashkuar forcat më shumë, për tu organizuar më mirë”, sqaroi Rama.

Rama u ndal dhe tek hetimet e autoriteteve spanjolle për skemat e mashtrimit me “call center”-at..

“Qeveria jonë nuk është mburojë e asnjë aktiviteti. Qeveria jonë nuk i bëhet mburojë askujt, cilido qoftë. Sa i përket sjelljes në valle të emrit të tim vëllai, kjo është pjesë e valles së madhe të shpatave që zhvillohet në mexhilisin tonë politik. Në rastin konkret jemi para një sjellje në valle për vallen e shpatave të politikës”, u shpreh Edi Rama.

Për këtë çështje opozita akuzon si të përfshirë kryeministrin Rama dhe familjarë të tij në vjedhjet prej 2.2 miliardë eurove që sipas saj i është bërë qytetarëve europianë./KlanMacedonia

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share