Rama: Ky konflikt ka një arsye, Kosova dhe Serbia po hezitojnë për njohjen reciproke

Kryeministri i vendit Edi Rama ndodhet këtë të Mërkurë në Bratislavë të Sllovakisë atje ku po zhvillohet Forumi i Sigurisë.

Veç situatës ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor apo fondeve të BE-së, Rama u ndal disa herë dhe te situata e krijuar në veri të Kosovës.

Sipas tij, Serbia dhe Kosova janë në prag të një marrëveshjeje historike që ka të bëjë me njohjen reciproke të shteteve. E pikërisht kjo gjë, thekson kreu i qeverisë është arsyeja që prodhon situata të tilla. Dy vendet hezitojnë, shtoi ai sepse janë mësuar duke qenë palë armiqësore.

“Le t’i marrim gjërat në perspektivë pikësëpari, për fat të keq përpara se të vijë vera kemi gjithmonë problem në veriun e Kosovës, nuk e di pse ndodh gjithmonë në verë, ndoshta sepse Kosova dhe Serbia nuk kanë det edhe kokat nxehen. Por, ku ishim 20 vjet më parë? Ku ishim 10 vjet më parë? Ishim në një gjendje shumë më të vështirë, sot Ballkani Perëndimor është në pozitën e tij më të mirë edhe midis Kosovës dhe Serbisë gjërat nuk kanë qenë më mirë sepse janë vetëm një hap larg përmbylljes së një marrëveshjeje historike. Tani të dyja palët kanë një lloj hezitimi sepse e shikojnë që kjo do të realizohet dhe nuk do t’ju duhet më ta luftojnë njëri-tjetrin. Ndoshta kjo shkon kundër inercisë së tyre të nevojës për të luftuar, të të jetuarit për të luftuar. Kjo është perspektiva, është më mirë se në çdo kohë! Tani, ky konflikt aty ka një arsye e cila në këndvështrimin tim mund të ishte shmangur krejtësisht sepse në këndvështrimin tim nuk është tregues i problemeve konkrete. Kryetarët e këtyre komunave të zgjedhur me 1% të popullsisë, ndërkohë që 99% e komunitetit aty nuk kanë votuar dhe ndihen të papërfaqësuar, por thelbi është ka një marrëveshje që duhet përmbyllur. Njohja reciproke, që është diçka e jashtëzakonshme. Dhe ka një hezitim për të arritur këtë marrëveshje që prodhon këto situata”, u shpreh Kryeministri.

Më herët ai u shpreh se ushtria e Serbisë në kufi të Kosovës e ka fuqinë të barabartë me 0. Në këtë forum është i pranishëm dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share