Në një intervistë për gazetën “Nacionale” kryeministri i vendit Edi Rama ka folur sërish për draft-propozimin e tij për krijimin e Asocacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin ua ka përcjellë Francës e Gjermanisë.
Rama theksoi se këtë draft-propozim nuk e ka konsultuar me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për të qenë i drejtë dhe etik në raport me aleatët ndërkombëtarë.
“Jo. Unë dua të jem shumë fair (i drejtë) dhe në raport me partnerët. Ky nuk është një konspiracion i shqiptarëve që ne po e bëjmë bashkë dhe pastaj unë do e çoj. Ky është një kontribut i Shqipërisë si shtet tjetër. Ne jemi vëllezër, por kemi dy shtete të ndryshme. Shqipëria ka shtetin e vet, Kosova ka shtetin e vet. Shqipëria në këtë rast, është tërësisht në një linjë me SHBA-të dhe BE-në, me Francën dhe Gjermaninë, me qëndrimin e asaj që po bëjnë autoritetet e Kosovës. Shqipëria kontributin e saj nuk mund ta japë në këtë proces, përveçse duke qenë shumë etike në raport me aleatët dhe pozicionin e vet. Nuk mundet dot që ne të bëjmë një rol, të hedhim gurin dhe të fshehim dorën. Në sensin që t`i konsultojmë këto gjëra përpara dhe pastaj të bëjmë sikur nuk kemi konsultuar”, ka deklaruar Kryeministri.
Ai u shpreh me bindje se në Kosovë nuk mund të ketë luftë, pasi nëse një gjë e tillë do të ndodhte Serbia do duhej të përballej me Shtetet e Bashkuara.
“Kjo është gjëja e fundit që unë imagjinoj. Ka një fjalë që thotë kurrë mos thuaj kurrë, por unë dua të them kurrë. Për faktin se kush do luftojë në Kosovë? Do luftojë Serbia me Amerikën? Kosova është Amerikë. Sa për dijeni të atyre që kanë harruar, Kosova nuk është ende tërësisht sovrane për sa kohë ka një ushtri të tërë të huaj në territorin e vet, dhe për sa kohë nuk është e njohur ndërkombëtarisht nga të gjithë. Kështuqë, çfarë do të bëjë Serbia, do të sulmojë Amerikën?”, është shprehur Rama.
Kujtojmë se Kryeministri foli publikisht për draft-propozimin e tij vetëm dy ditë më parë, përmes një konference për mediat. Rama bëri të ditur se ai draft është hartuar nga ekspertë të nivelit të lartë amerikanë dhe europianë dhe se ja ka përcjellë Presidentit francez Macron dhe Kancelarit gjerman Scholz.
Sipas tij, krijimi i Asociacionit në Kosovë është çelësi i zgjidhjes së kësaj situate, por dhe i njohjes ndërkombëtare të Kosovës nga ato shtete të cilat nuk e kanë njohur ende, i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe i njohjes së ndërsjelltë me Serbinë./tvklan.al