Ka nisur Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri – BE që shënon kështu edhe çeljen e negociatave për Shqipërinë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, Kryeministri i vendit Edi Rama është shprehur se çështja e integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, është për Shqipërinë një çështje për jetë a vdekje.
Edi Rama: Është shumë e vështirë të besohet se kjo po ndodh, por mjaft kohë ne luftuam kundër besimit se nuk do të ndodhte fare. Të hiqnim dorë nuk na ka shkuar kurrë në mendje. Ka një besim që i mbijeton të gjitha mosmarrëveshjeve tona. Nuk ka rrugë tjetër vec BE. Është sfida jonë, është misioni ynë, është fati ynë. Për shekuj na është dashur të jetojmë nën regjime që nuk i kemi zgjedhur. Ne zgjodhëm t’i japim gjithçka Europës sepse besojmë në këtë hapësirë paqeje, por edhe sepse frymëzon një mënyrë tjetër të të menduarit në përkatësinë që shkëputet njëherë e përgjithmonë me të kaluarën.
Europa është ajo që e bën të mundur një Ballkan tjetër. Dua filluar nga sot, bisedimet e anëtarësimit e bëjnë realitetin një vend më të mirë. Ajo që kemi arritur deri tani është fundi i fillimit.
Rruga për të arritur deri këtu nuk ka qenë e lehtë. Mes punës së palodhur, premtimeve të pambajtura, si një histori e rrukollisjes së një guri në një kodër ashtu si në mitin e Sizifit. Ne vazhduam të ecnim duke mos e humbur besimin tonë. Integrimi i plotë në Europë është për Shqipërinë një çështje për jetë a vdekje. Kjo është arsyeja që edhe pse u shtymë padrejtësisht për 3 vite me radhë, ne duruam./tvklan.al