Rama i prerë: Konsiderojmë vetëm bastet sportive online, salla parazitësh nuk do të ketë

Në konsultimin publik me grupet e interesit për rikthimin e basteve sportive në Shqipëri, Kryeministri Edi Rama u shpreh qartësisht se qeveria po konsideron vetëm ligjërimin e basteve online dhe jo hapjen e sallave të basteve sportive të cilat janë mbyllur në vitin 2015.

“Fakti që ky aktivitet nuk ka ardhur në rënie pavarësisht arrestimeve, dënimeve nuk ka rënë si aktivitet, si numër pjesëmarrësish, e bën të dosmosdoshëm këtë reflektim që bëmë sot. Ne nuk do kthehemi në asnjë mënyrë tek sallat, tek lojërat, tek batërdia e lojërave të basteve, as për makineta, e vetmja konsideratë që po bëjmë është për bastet sportive online dhe për asgjë tjetër. Salla parazitësh dhe parazitizmi në Shqipëri ku mblidhen njerëzit dhe harxhojë orë të tëra për të hedhur në erë edhe ato kursime që prindërit ja u japin fëmijëvë në dorë nuk do ketë”, theksoi Kryeministri Edi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh gjithashtu se edhe me bisedat që ka zhvilluar me krerët e disa shteteve të caktuara ku janë të ndaluar me ligj bastet sportive, doli problematika e basteve online të cilat është e vështirë që të bllokohen.

“Arsyetimi bën sens pse mos ja heqim nga duart atyre që i qarkullojnë, nuk paguajnë asnjë taksë dhe ushqejnë gjithë të keqen. Reflektimi i fundit që kam është ky: Kemi bërë shumë përpjekje, që kur është nisur ky debat unë kam parë anën time duke u konsultuar prej Kryeministrave apo Presidentëve të vendeve që i kanë të ndaluara komplet, dhe përgjigjia e sinqertë ka qenë online është i pandalueshëm. Problematika e online në të zezë është dhe në ato vende. Në të gjithë diskutimin që kemi bërë me ekspertë rezulton e pamundur që të bllokohet sistemi. Kjo edhe mua më bën të prirur për të qenë i hapur ndaj kësaj zgjidhje sepse është gjynah që kjo veprimtari të zhvillohet nga duart e njerëzve që shkelin ligjin dhe ku kanë figuruar aktivë dhe me përfitime elementë me profil të lartë në krimin e organizuar”.

/tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share