Rama: Fluturimet me charter, kam harxhuar më pak se Berisha

“Kurseni energjinë, nuk vendos ERE për çmimin dhe fashën”

Shpifje i ka cilësuar kryeministri Rama akuzat e kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha lidhur me udhëtimet e tij me çarter. Nga Peshkopia ku u takua me një tur operatorësh turistikë, Rama tha se ka shpenzuar nga paratë e taksapaguesve, vetëm gjysmën e atyre të përdorura nga paraardhësi i tij në krye të qeverisë.

“Udhëtimet e mia kanë kushtuar më pak se gjysma e fondeve të Kryeministrisë krahasuar me atë që as emrin nuk ia përmend dot se më vjen për të vjellë dhe nuk dua që t’ju bëj dhe ju që të t’ju përzihen zorrët që me mëngjes”. 

Garantoi se nuk ka rritje të çmimit të energjisë elektrike dhe vendosje të fashës 800 kilovat pavarësisht vendimit të ERE-s, duke mos i kursyer akuzat për opozitën.

“A vendoset fasha, a s’vendoset fasha, a vendoset çmimi kaq apo aq, kjo është politikë që e bëjmë ne, nuk e bën ERE. ‘Rritet çmimi i energjisë’. Ta shqetësosh miletin deri në pikën që ta tërbosh fare, ta nxjerrësh në rrugë për të rrëzuar qeverinë

Pa harruar nuk la sërish apelin për kursimin e energjisë.

“Duhet patjetër që secili t’i fikë ato drita, jo si Kapllani, që i kishte lënë të gjitha dritat hap. I kemi lënë për ty tha”.

Opozitën e shigjetoi edhe në një tjetër takim duke kujtuar dosjet e ish-Sigurimit dhe paratë për lobimin rus.

“Se ne na ka gjetur belaja, e kemi shumë të veçantë belanë ne. Hiena vetë njëherë është një hall i madh. Hienë non grata dhe hienë spiun, vetëm në Shqipëri i gjen. Hienat janë të zhytyr në thesin e Rublave. Që Luli merrte kjo nuk diskutohet. Po që Luli t’i merrte pa leje këtë nuk e ha njeri”.

Dibranëve u premtoi se do bëjë realitet ndërtimin e Skavicës, pavarësisht paralajmërimeve të opozitës.

“Për çfarë e kundërshtojnë Skavicën? Ndërkohë që përfituesit më të mëdhenj nga Skavica do të jenë ata që janë aty rreth e rrotull”.

U shpreh i bindur në fitoren e socialistëve edhe në zgjedhjet lokale të majit të ardhshëm.

“Ne do vazhdojmë punën, taksirati jonë është t’i mundim edhe një herë”.

Ndër arritjet e qeverisë në këtë qark renditi Rrugën e Arbrit që tha se do të mbarojë pavarësisht problemeve gjeologjike në tunelin e Murrizit.

“Na kanë marrë mësysh, s’kanë lënë magji pa na bërë. Po në fund fare ai tuneli do hapet”, tha Rama.

“Është një problem gjeologjik. Siç ecim 25 metra në ditë në tunelin e Llogarasë, në tunelin e Murrizit fatkeqësisht ecim një metër në ditë, sepse gjeologjia është argjilore dhe duhet të armatohet sa herë që hapet”, shtoi Balluku.

Rama premtoi mbështetje për fermerët, duke i garantuar se askush nuk do të pengohet për të investuar, pavarësisht mungesës së dokumenteve të pronësisë së tokës.

Gjatë turit të takimeve në Peshkopi, Rama pa nga afër një sërë investimesh në infrastrukturë ndërsa ishte i pranishëm edhe në bizneset e zonës dhe nuk mungoi një takim me ata që cilësohen krenaria e qytetit.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share