Rama drejton Këshillin e Sigurimit të OKB

Replika me ambasadorin rus: Ndalni luftën!

Fjala që Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, si përfaqësues i OSBE-së do të mbanin përpara 50 krerëve të shteteve në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB që drejtohet nga Shqipëria, shkaktoi që në nisje të punimeve përplasje verbale mes Kryeministrit Rama dhe ambasadorit rus në OKB, Vasily Nebenzya.

“Mbi çbazë propozoni t’i jepni presidentit Zelensky fjalën përpara anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. Mbi ç’bazë ftoni ju në takim Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, në cilësinë e kryetarit të OSBE-së? Kjo e sotmja do të jetë më shumë një spektakël. Presidenca shqiptare ka treguar shkelje flagrante. Shqipëria s’ka mundur ta mbajë një gjë të tillë sot”, tha ai.

Në përgjigje kryeministri Rama ironizoi se ky nuk është një operacion special i Presidencës shqiptare, por praktikë e konsoliduar në Këshillin e Sigurimit.

“Që të biem dakord, ju ndaloni luftën dhe Zelensky nuk merr fjalën. Kjo vjen nga diçka që keni bërë ju. Ne besojmë se ftesa e Zelensky-t që të flasë është në përputhje me paragrafin 33. Ky s’është vendim i Presidencës shqiptare, por si praktikë e gjatë e Këshillit të Sigurimit, në përputhje të plotë me rregulloren. Po përfaqësuesi i OSBE është shqiptar, por nëse do ishit i qartë se cili është problemi më thoni.”

Vetë Zelenksy falenderoi kryeministrin Rama për mundësinë dhe i kërkoi OKB-së që të pezullojë veton ruse, përmes së cilës Presidenti ukrainas tha se Moska me dashakeqësi po synon të zbehë genocidin që po bëhet ndaj bashkëkombasve të tij prej dy vitesh.

“Në këtë Këshill të Sigurimit ku Rusia ulet në mënyrë të paligjshme ulet në tavolinë për të zbehur genocidin që po ndodh në Ukrainë. Vetoja e agresionit i ka çuar në një situatë bllokimi Kombet e Bashkuara. Sistemi aktual i OKB-së ju bën me më pak ndikim sesa pushteti i vetove nga komandohet e shpërdorohet nga disa, siç po bën Rusia. Reformimi i OKB duhet të kthehet në proces dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me përfaqësimin, por reformimin e vetos. Kjo do i rikthente fuqinë OKB”, tha Zelensky.

Në debatin e hapur në Këshillin e Sigurimit që drejtohet nga Shqipëria, Kryeministri Rama foli me tone të ashpra ndaj Rusisë, duke bërë thirrje për mbështetje për Ukrainën.

“Ndërkohë që flasim më shumë se 26 mijë civilë kanë vdekur, nesër numri do të jetë më i lartë dhe do të rritet për aq kohë sa do vazhdojë kjo luftë. Duke pasur parasysh vringëllimën e pajustifikuar bërthamore që vjen hera herës nga nivele të ndryshme të Kremlinit, kemi të drejtë të trembemi që një ditë larg qoftë kjo çmenduri të shndërrohet në diçka më të keqe. Është e po aq e paimagjinueshme një luftë sot sa ishte një lufte dj”, tha Rama.

Një mesazh ambasadorit rus në OKB i dha edhe për Kosovën.

“Rusia e të tjerë janë përpjekur të keqpërdorin realitetin e ndryshuar në Ballkanin Perëndimor, sidomos lindjen e Republikës së Kosovës për të justifikuar ëndrrat e tyre neo-imperiale apo makthet e tyre që kanë eksportuar në Ukrainë. Pavarësisht sesa përpiqeni pavarësia e Kosovës që është e sanksionuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, nuk mund të shërbejë si pretekst për rrëmbim territoresh apo aneksim të paligjshëm. Të mos ngremë mure për fantazmat e së shkuarës që të fshihen pas lojërave të pafundme të fajit”, u shpreh Rama.

Pjesë të fjalimit të kryeministrit Rama i publikoi në rrjetet sociale edhe Presidenti Zelensky duke u shprehur se ai i tregoi botës gënjeshtrat dhe hipokrizinë e Rusisë.

Përpara nisjes së tryezës së Këshillit të Sigurimit në OKB “Ruajtja e paqes dhe sigurisë së Ukrainës”, Kryeministri Rama dhe Presidenti Volodimir Zelensky zhvilluan një takim, ku nënshkruan një deklaratë të përbashkët për mbështetjen lidhur me integrimin e Ukrainës në NATO.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share