Në rritjen e numrit të të rinjve që përzgjedhin arsimin profesional dhe nevojës së tregut për ta si zgjidhje nga qeveria u pa edhe përfshirja e sipërmarrjes. Përveç qeverisë dhe bashkive, financim për arsimin dhe formimin profesional, kryeministri Edi Rama kërkoi edhe nga sektori privat dhe kryesisht biznesi i madh.
“Ne duhet dhe do të rrisim investimet publike në arsimin profesional, mbështetjen nga buxheti i shtetit për arsimin profesional dhe patjetër do t’ju kërkojmë kompanive, do t’ju kërkojmë me hir dhe unë shpresoj që nuk do të jetë nevoja që pahiri i ligjit ta bëjë këtë punë pa u kuptuar mirë me njëri-tjetrin që të përfshihen në financimin e arsimit profesional”, deklaroi Rama.
Kërkesën e tij për bashkëpunim me sektorin privat, kreu i qeverisë e mbështeti në të dhënën se tregu i punës kërkon më shumë zanatçinj se të rinj me arsim të lartë. Sipas shifrës që Edi Rama referoi raporti është 70 për qind e bizneseve kërkojnë punëtor me arsim profesional dhe 30 për qind me diplomë universiteti.
Dhe kur shifrat nuk janë në anën e qeverisë që po përballet me braktisjen e vendit nga krahu i punës dhe të rinjve të kualifikuar, në qershor një financim i dytë do të jepet për pajisjen e shkollave profesionale me mjete, laboratorë e konvikte.
“Me një tjetër financim në qershor do të mbulojmë të gjithë nevojën për rindërtim dhe rikualifikim të shkollave dhe konvikteve të arsimit profesional në territor me kushte optimal, jo vetëm për mësim, por edhe për ushqim, edhe për fjetje, edhe për aktivitete të tjera rekreative. Objektivi ynë, i cili do të bëhet i mundur vetëm nëse sipërmarrja do ta kuptojë dhe do të reagojë pozitivisht në nivelin e bizneseve të mëdha, për nevojën që të financojë, të marri pjesë në financim dhe në ndërkohë të plotësojë detyrime që do t’i vendosim sipas niveleve të të ardhura, të xhirove etj, për trajnime profesionale”, vijoi më tej kreu i qeverisë.
Përballë numrit të ulët të nxënësve që ndjekin arsimin profesional, më pak se 15 mijë, Edi Rama kërkoi edhe ndihmën e Bashkimit Evropian, të nxitojë në vënien në dispozicion të “garancisë rinore”.
“Bashkimi Europian kontributin kryesor përveç të gjitha të tjerave e ka që na e kalit durimin në një formë për të cilën do t’i jemi mirënjohës gjithë jetën, se pa atë durim, nuk shkojmë larg. Sigurisht që për të shkuar larg, do të vuajmë deri atëherë, por ndërkohë kalitemi, bëhemi të fortë. Bashkimi Europian na ka zëvendësuar Partinë që kishim dikur”, deklaroi Rama.
Në gjithë vendin funksionojnë 29 shkolla dhe qendra të arsimit profesional. Programet më të kërkuara janë hoteleri-turizëm, teknologji e informacionit dhe elektromekanika.