Raketat ruse shkatërrojnë hotele dhe apartamente

Kundërofensiva ukrainase vijon të përparojë në juglindje 

Raketat ruse goditën qytetin lindor të Ukrainës, Pokrovsk duke shkatërruar një hotel dhe apartamente.

Tetë persona mbetën të vrarë mes tyre pesë civilë ndërsa 70 të tjerë u plagosën. Videot e publikuara nga autoritetet ukrainase treguan njerëz që po kalonin nëpër rrënoja.

Dy raketa goditën qendrën e Pokrovsk brenda 40 minutave nga njëra-tjetra. Dëshmitarët janë shprehur se hoteli Druzhba ishte i vetmi që funksiononte në rajonin lindor të Donetskut.

Kateryna, një 58-vjeçare banore në Pokrovsk, ishte në shtëpi kur dëgjoi shpërthimin e parë. Ajo shprehet se ndërtesa ku banonte u godit nga një shpërthim i dytë.

“Shkova nga dhoma e gjumit në kuzhinë, ra zilja e telefonit. Ishte një djalë, një fqinj që më pyeste si isha. Dhe pastaj, një zhurmë e madhe u dëgjua dhe pash që flakët më mbuluan fytyrën.Unë rashë në dysheme, humba ndjenjat”, thotë Kateryna, banore.

Në fjalimin e tij Presidenti Volodymyr Zelenskiy tha se Rusia përdori raketa balistike Iskander për të sulmuar ndërtesat  në Pokrovsk. Ai akuzoi Rusinë se po përpiqet të shkatërrojë çdo gjë në Ukrainën lindore.

Ndërkaq kundërofensiva ukrainase ndaj forcave ruse vijon në juglindje. Trupat ukrainase kanë vazhduar të kryejnë sulme ndaj ushtrisë ruse në drejtim të Berdijanskut dhe Melitopolit në provincën e Zaporizhzhia-s. Trupat ukrainase po përparojnë hap pas hapi pavarësisht valës së të nxehtit me temperatura mes 30 gradë Celsius.

Ndërkaq gjatë 24 orëve të fundit forcat ruse kanë kryer shtatë sulme me raketa dhe 42 sulme ajrore./KlanNews

Lexo gjithashtu
Total
0
Share