Ministri i Punëve të Brendshme në Serbi, Ivica Daçiq dje në takimin e tij me homologun maqedonas Pançe Toshkovski në pikën kufitare në “Tabanoc” u pyet nëse trupi i pajetë i Faton Hajrizit do të kthehet në Kosovë. Daçiq tha se për këtë nuk vendos MPB-ja dhe se nuk e di procedurën.
Ai tha se Radoiçiq nuk do t’i dorëzohet Kosovës.
“Nuk e di nëse e kuptoni se Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe kjo është absolutisht e pamundur. Ne nuk kemi marrëdhënie të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e Kosovës. Çdo gjë që bëjmë, e bëjmë me EULEX-in dhe kështu kemi marrë dhe kemi kërkuar formularë për atë proces. Asnjë ekstradim brenda Serbisë nuk është i mundur”, tha Daçiq.
Kujtojmë se më 24 shtator të vitit të kaluar, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.
Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.
Përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e pati marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Ai u lirua nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme.
Radoiçiq, ndodhet tashmë në sistemin e organizatës më të madhe ndërkombëtare të policisë, INTERPOL për urdhërarrest. /Reporteri.net/