Kryetarja e qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, sot ka inspektuar fillimin e punimeve të ndërtimit të megaparkut të ri në komunën e Kisella Vodës.

“Me dëshirë dhe përkushtim filluam ndërtimin e të katërtit nga 5 megaparqet në Shkup, megaparku në komunën e Kisella Vodës, i cili do të shtrihet në një sipërfaqe prej 52.000 metra katrorë. Me realizimin e këtij projekti, i cili është pjesë e programit “Për një Shkup modern”, ne veprojmë me qëllim të përmirësimit afatgjatë, mbrojtjes dhe ruajtjes së mjedisit”, tha Arsovska.

Në park, përveç brezit të gjelbër, pemëve dhe fidanëve, parashikohet ndërtimi i shtigjeve për këmbësorë dhe parking për vizitorët, pajisje urbane dhe park për kafshët shtëpiake. Punimet i kushtohen ndërtimit dhe rregullimit të përmbajtjeve të gjelbra, moderne dhe ekologjike në qytet, të cilat janë pjesë e zgjidhjeve afatgjata për mjedis më të pastër dhe ajër më të pastër për qytetarët e qytetit të Shkupit.

Për herë të parë pas dekadash janë ndërtuar tre megaparqe në Gjorçe Petrov me sipërfaqe 32.000 metra katrorë, Aerodrom me sipërfaqe 27.000 metra katrorë dhe në Çair me sipërfaqe 30.000 metra katrorë. , kurse ndërtimi i megaparqeve është në vazhdim e sipër, në komunën e Karposhit me 86 mijë metra katrorë dhe në Kisella Vodë me 52 mijë metra katrorë.