BEKTESHI: TREGTARËT MUND TË BËJNË AKSIONE ME ÇMIME MË TË ULËTA
Qeveria në seancën e sotme miratoi vendimin për përcaktimin e çmimeve më të larta për produktet bazë ushqimore. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Beskteshi deklaroi se, në seancë është përcaktuar edhe lista e produkteve që do të jenë me çmime të ngrira, e cila pasi të shpallet në gazetë zyrtare duhet të zbatohet nga tretarët me pakicë.
“Orizi i bardhë në paketim prej 900 gram deri në 1kg, miell i bardhë dhe gjysmë i bardhë tip 400 dhe tip 500, bukë e bardhë dhe gjysmë e bardhë, tip industrial 450 gram, produkte të tjera prej mielli, pasta, mish viçi pa kocka, mish i bluar, mish pule i freskët apo i ngrirë, qumështi i lopës”, tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.
Në këtë listë bëjnë pjesë po ashtu edhe produkte të tjera të mishit, të qumështit si dhe vezët dhe pemët dhe perimet e freskëta.
“Në pjesën e vendimit për aksione, sot është bërë një korrigjim i vogël, ku do t’ju lejohet të bëjnë aksione me çmime më të ulëta nga ato që janë të ngrira me vendim të Qeverisë. Ndërsa, në mënyrë shtesë, të gjithë tregtarët me pakicë, të gjitha zinxhirët e supermarketeve do të kenë obligim që në rast se bëjnë ulje të çmimeve të caktuara, për shkak të skadimit të afatit, atë ta shënojnë, që të jetë e qartë për qytetarët që blejnë”, tha Kreshnik Bekteshi.
Ministri paralajmëroi kontrolle të përforcuara të inspektoratit të tregut, ndërsa për ata tregtarë që nuk do të respektojnë këtë vendim, parashikohen gjoba deri në mbyllje të biznesit./KlanMacedonia