MARZHË TREGTARE PREJ 5% DHE 10% PËR DISA PRODUKTE
Pas shtrenjtimeve enorme të produkteve ushqimore, Qeveria e Maqedonisë së Veriut doli me pako të re të masave anti-krizë. Bëhet “ngrirja” e marzhave tregtare të produkteve të ushqimit nga 15 Korriku deri më 30 Shtator.
”Qeveria me propozim të Ministrisë së ekonomisë, ka vendosur që të ngrijë marzhat tregtare për tregtarët me shumicë dhe pakicë sa i përket produkteve bazë ushqimore të cilët edhe kanë konsumin më të gjerë për të gjithë qytetarët” – deklaron Kreshnik Bekteshi.
Prej nesër, pasi vendimi të publikohet në Gazetën zyrtare e deri më 30 shtator, për bukë të bardhë, sheqer dhe vaj përcaktohet marzha tregtare në 5%. Kurse për miellin, makaronat, shpagetat dhe orizin është përcaktuar marzhë prej 10%.
Bekteshi paralajmëroi se në rast se ka rritje të mëdha të çmimeve edhe për produkte tjera, kjo listë do të zgjerohet.
”Në rast se Inspektorati i tregut dhe institucionet tjera kompetente konstatojnë se edhe tek produktet tjera, përpos këtyre që i numërova ka rritje të madhe të çmimit, ne do ta zgjerojmë listën në mënyrë plotësuese në bazë ditore nëse është e nevojshme” – deklaroi ministri Bekteshi.
Ministri Bekteshi ka theksuar se të gjitha masat që deri tani janë miratuar jën bërë në bashkëpunim me Odat Ekonomike duke shtuar se nuk është korrekte ndaj konsumatorëve që gjatë 24 orëve të ketë rritje të cmimeve edhe për 80% kur nuk ka rritje harxhimeve operative dhe të derivateve. /KlanMacedonia/