Qeveria: Ligjet për Korridorin 8 dhe 10D të miratohen me flamur evropian

GRUBI: NGA DEPUTETËT VARET NËSE NDËRTIMI DO TË JETË MË SHPEJTË DHE MË LIRË

Qeveria e Maqedonisë së Veriut propozon që me flamur evropian në Kuvend të miratohen ndryshimet e ligjeve që nevojiten për ndërtimin më të shpejtë dhe me kosto më të lirë të Korridorit 8 dhe 10D, njofton KlanM.

Në seancën e sotme Qeveria ka miratuar pesë propozimligje të reja për Korridorin 8 dhe 10D, që në Kuvend do të dorëzohen me flamur evropian.

“Duke parë bllokimin e qartë dhe pengmarrjen e ligjeve nga opozita dhe duke marrë parasysh interesat e qytetarëve, Qeveria miratoi pesë propozimligje që do t`i dorëzojë në Kuvend. Duke marrë parasysh se BE-ja, në hartën e korridoreve e vendosi Korridorin 8 dhe rëndësinë e saj gjeostrategjike, bashkë me Korridorin 10D, si dhe për shkak të debatit të gjatë në opinion, vendosëm që ligjet të propozohen me flamur evropian” – tha Artan Grubi.

Ministri për Financa, Fatmir Besimi, sic njofton KlanM, ka theksuar se Ministria e Financave bashkë me Ndërmarrjen Publike për Rrugë Shtetërore kanë bërë intervenime në propozimligjin për eksproprijim, për shkak të, sic tha, ndërtimit më të shpejtë të autostradave

“Me propozimligjin për eksproprijim, nuk do të ketë eksproprijim të ndërtimeve të jashtëligjshme. Familjeve që jetojnë në ato objekte, do t`u mundësohet, nëse nuk e kanë të përfunduar procedurën e legalizimit, të dislokohen me qira në objekt tjetër” – deklaroi Fatmir Besimi.

Sipas ndryshimeve të propozuara në Kuvend, sic njofton KlanM,  përveç Ligjit për marrëdhënie pune, eksproprijimit dhe për mbrojtje të trashëgimisë kulturore, do të ndryshohen ligjet për tokën bujqësore, planifikimin urbanistik, lëndët minerale dhe ligjet për pyjet dhe për ndërtimin.

Ndryshe, projekti për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D do të kushtojë 1.3 miliardë euro. Autostradat, sic njofton KlanM, duhet të përfundojnë për 4 vite e shtatë muaj. Përfaqësuesit e institucioneve kanë njoftuar se për eksproprijimin e tokës parashihen 238 milion euro shtesë nga buxheti, që nuk hyjnë në 1.3 miliardë eurot e parapara për projektin. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share